Kardiologji

tet252017

Ushqyerja me gji ul riskun për sëmundje kardiovaskulare te nënat

Sipas një studimi të publikuar në Journal Of the American Heart Association, risku i sëmundjeve kardiovaskulare te femrat kineze që kishin ushqyer me gji, ishte 10% më i ulët në krahasim me femrat që nuk kishin ushqyer me gji. Kjo përqindje rritej me rritjen e kohëzgjatjes së ushqyerjes me gji. "Studime të mëparshme e kanë lidhur ushqyerjen me gji me një risk të reduktuar të keqfunksionimit metabolik, diabetit dhe hipertensionit te femrat më vonë gjatë jetës", shprehet Zhengming Chen nga Universiteti i Oksfordit, i cili ka drejtuar grupin e studimit dhe që më pas shton: "Disa studime kanë sugjeruar se ka një lidhje mes ushqyerjes me gji dhe riskut për sëmundje kardiovaskulare. Ne jemi përpjekur ta verifikojmë". Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e 289.573 femrave mes viteve 2004 - 2008 në 10 zona urbane e rurale të Kinës, që kanë ofruar informacione mbi historinë e tyre dhe të ushqyerjes me gji. Gjithashtu janë mbledhur të dhëna nga regjistrat e sëmundjeve, vdekjeve dhe sigurimeve. Në analizë kanë rezultuar 50.000 raste me sëmundje kardiovaskulare që kanë përfshirë 23.983 iktuse dhe 16.671 raste të sëmundjeve koronare.

Femrat që kishin ushqyer me gji, kishin 12% më pak probabilitet për sëmundje kardiovaskulare, 9% më pak për sëmundje koronare dhe 8% më pak për të pasur iktus në krahasim me femrat që kishin fëmijë, por që nuk kishin ushqyer kurrë me gji. Megjithatë risku për sëmundje kardiake koronare dhe iktus dukej se zvogëlohej me rritjen e kohëzgjatjes së vetë ushqyerjes me gji me një reduktim të riskut për infarkt me 7% për femrat që kishin ushqyer me gji nga 6 deri në 12 muaj dhe me 18% për femrat që kishin ushqyer për më shumë se dy vjet. Rezultate të ngjashme janë përftuar për riskun e iktus. Kërkuesit kanë përshtatur analizën për të pasur parasysh faktorë të tjerë si formimi, trashëgimia, duhanpirës apo jo, presioni i gjakut dhe aktiviteti fizik pa ndryshuar rezultatet.

Studimi i ri nuk mund të shpjegojë lidhjen midis ushqyerjes me gji dhe shëndetit të zemrës, ndërsa kërkuesit paraqesin mundësinë se ushqyerja me gji ndihmon trupin e femrave që të humbin peshën e fituar me shtatzëninë duke pasur efekt në metabolizëm dhe duke përmirësuar, ndër të tjera, menaxhimin e insulinës dhe gjenerimin e yndyrnave në gjak.

 

J Am Heart Assoc. 2017. doi: 10.1161/JAHA.117.006081
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28637778


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>