Kardiologji

dhj112017

A kanë lidhje karbohidratet e yndyrnat me vdekshmërinë kardiovaskulare?

Një studim i Lancet-it rihap debatin e fortë mbi lidhjen që ekziston mes makroushqyesve, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë. Sipas tij, yndyrnat nuk janë aq përgjegjëse për to, sa ç'është menduar deri më sot.
 
Pjesa më e madhe e të dhënave që kemi, sa i përket lidhjes që ekziston mes makroushqyesve, vdekshmërisë dhe sëmundjeve kardiovaskulare vijnë nga studime të bëra mbi popullsinë evropiane dhe amerikane, tek ata me stil më të ngjashëm jetese dhe ku teprimet ushqimore janë më të shpeshta. Kështu, nuk është e qartë nëse këto të dhëna mund të merren për bazë edhe për popullsi të tjera. Studimi i i PURE (Prospective Urban Rural Epidemiology), publikuar nga Lancet-i kishte për qëllim të vlerësonte se sa ndikojnë yndyrnat dhe karbohidratet e dietës në sëmundjet kardiovaskulare. Ky studim kohorte në perspektivë mbi një grup të madh epidemiologjik, prej 12 vjetësh po monitoron më shumë se 130000 vetë të grupmoshës 35-70 vjeç, regjistruar në periudhën 2003-2013 në 18 vende me të ardhura dhe me zhvillim të ndryshëm socio-ekonomik.

Gjatë ndjekjes është vënë re se shtimi i karbohidrateve shtonte rrezikun e vdekshmërisë së përgjithshme, por nuk ishte i lidhur me rrezikun për t'u prekur nga sëmundje kardiovaskulare apo për të vdekur prej tyre. Marrja e yndyrnave të plota dhe madje e çdo lloji të yndyrnave ishte e lidhur me një rrezik më të vogël për vdekshmëri të përgjithshme, ndërsa një konsumim më i madh i yndyrnave të plota të ngopura ishte i lidhur me një rrezik më të ulët për infarkt. Yndyrnat e plota, të ngopura e të pangopura, nuk kishin asnjë lidhje kuptimplote me rrezikun e infarktit të miokardit dhe me vdekshmërinë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Pra, sipas rezultateve të studimit, shtimi i karbohidrateve do të shtonte rrezikun e vdekshmërisë së përgjithshme, ndërsa përsa u përket yndyrnave, ky rrezik do të zvogëlohej dhe do të reduktohej edhe lidhja me sëmundje kardiovaskulare, infarkt apo vdekje për shkaqe kardiovaskulare. Kjo gjë i ka shtyrë autorët të sugjerojnë rishikimin e udhëzimeve bazë ushqimore (ende jo të gatshme për futjen e yndyrnave në dietë).

Në vendet evropiane dhe veriamerikane, në fakt, këshillohet kufizimi i acideve yndyrore të ngopura, duke i zëvendësuar yndyrnat shtazore me vajra vegjetale, karbohidrate komplekse dhe drithëra integrale. Pavarësisht jehonës së madhe mediatike të lajmit, bota shkencore po tregohet e kujdesshme. Studimi ka shumë anë të kritikueshme, duke nisur nga kompozimi i tij, siç është nënvizuar në një editorial të publikuar në të njëjtin numër të Lancet-it, nga Christopher E. Ramsden dhe Anthony F. Domenichiello, të cilët pranojnë se kanë mbetur edhe shumë pyetje pa përgjigje dhe se do të jetë i nevojshëm një thellim në kërkime me metodën RCT (randomized controlled trial), para se të ndryshohen rekomandimet aktuale në vendet perëndimore.

Francesca De Vecchi
Esperta in scienze e tecnologie alimentari Fonti
The Lancet, Vol. 390, No. 10107, 2050-2062


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>