maj242018
Fibrilacioni atrial. Edhe nëse zgjidhet, vazhdon rreziku i shtuar për iktus ose TIA
Pacientët me fibrilacion atrial (FA) që është përcaktuar si i zgjidhur, janë gjithsesi në rrezik për iktus apo atak ishemik tranzitor (TIA), sipas një studimi retrospektiv të publikuar në "British Medical Journal". Autorët rikujtojnë se fibrilacioni atrial mund të konsiderohet i zgjidhur kur rikthehet ritmi normal, por ekziston mundësia që të paraqitet në vazhdim një përsëritje, pas zgjidhjes spontane apo kardioversionit.
Gjithashtu, normat e suksesit afatgjatë të ablacionit mund të jenë edhe shumë të ulëta, rreth 20%. "Pacientët te të cilët fibrilacioni atrial është konsideruar i zgjidhur, në realitet mund të preken nga nëntipe paroxysmale ose këmbëngulëse që mund të përsëriten. Këto subjekte janë potencialisht në një rrezik të shtuar për iktus dhe mund të përfitojnë nga vazhdimi i profilaksisë antikoagulante", konfirmon Nicola Adderley, Universiteti i Birmingamit, në Angli, autori kryesor i studimit. Kërkuesit kanë krahasuar 11.000 pacientë me FA të konsideruar të zgjidhur, me 15.000 pacientë me FA të pazgjidhur dhe me 22.000 pacientë pa histori të sëmundjes.
Kështu, gjatë një ndjekjeje mesatare prej rreth tre vjetësh, shkalla e iktusit ose TIA-s mes pacientëve me FA të zgjidhur ishte 59% më e lartë se ajo e njerëzve pa FA (12.1 krahasuar me 7.4 për 1.000 vjet/njeri). Norma ishte megjithatë më e ulët se ajo e individëve me FA të pazgjidhur, që qëndronte në 16.7 për 1,000 vjet/njeri. Sa i përket vdekshmërisë, normat ndiqnin të njëjtin model. Vetëm 17% e pacientëve po merrnin një bar antikoagulant kur morën një diagnozë të FA-së.
"Këta pacientë mund të përfitojnë nga profilaksia e vazhdueshme me antikoagulant, por shkalla e trajtimit në këtë popullsi është jashtëzakonisht e ulët. Ne rekomandojmë një përditësim të udhëzimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për të mbështetur përdorimin e vazhdueshëm të trajtimit me antikoagulantë te pacientët me fibrilacion atrial të zgjidhur", përfundojnë autorët.
BMJ. 2018. doi: 10.1136/bmj.k1717
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29743285