Kardiologji

kor242018

Studimi i zemrës njerëzore pas vdekjes, mund të ndihmojë në kurimin e të gjallëve

Autopsia është shpesh një burim informacionesh i lënë pas dore, që mund të favorizojë përparimin e mjekësisë kardiovaskulare, të paktën, sipas asaj që është botuar në numrin special të "Circulation", ku eksplorohet roli i autopsisë, nëpërmjet një serie studimesh.

"Autopsia mund të jetë një burim zbulimesh që na ndihmojnë për të modifikuar mënyrën se si mendojmë për disa lloje sëmundjesh", thotë Jeffrey Saffitz (Qendra Mjekësore, Boston), duke shpjeguar se ateroskleroza, hipertensioni, diabeti dhe sindroma metabolike janë patologjitë kardiovaskulare sistemike më të studiuara gjatë autopsisë.

"Këto sëmundje vrasin me mijëra njerëz dhe historiku i tyre natyral mund të qartësohet së fundmi nga shqyrtimi nëpërmjet autopsisë", thotë eksperti, duke saktësuar se në këtë numër të "Circulation", veçanërisht tre studime ofrojnë shembuj se si autopsia kontribuon në gjetjen e përgjigjeve mbi shkaqet e vdekjes kardiake të papritur, duke mbledhur informacione nga pajisjet e implantueshme në kohën dhe në shkakun e vdekjes, për mënyrat si mund të përmirësohet funksioni kardiak, ose duke identifikuar shkaqet e formimit të depozitave të yndyrave që mund të bllokojnë arteriet dhe të shkaktojnë infarkt ose iktus.

"Ekzaminimet autoptike ofruan imazhet e para të sistemit koronarik njerëzor, para 60 vjetësh, kur Monroe Schlesinger, patolog në spitalin "Beth Israel" në Boston, duke punuar me Hermann Blumgartin, babai i kardiologjisë nukleare, zhvilluan radiografi të zemrës në autopsi, pas injektimit të një mjeti kontrastues me bazë plumbi", kujton Saffitzi.

Zbulimet e tyre, jo vetëm që kanë dhënë informacione thelbësore në bazë të eventeve kardiake akute, por edhe kanë identifikuar qarqet kardiake anësore dhe modifikimet vaskulare gjatë pamjaftueshmërisë kardiake kongjestive dhe shokut kardiogjen.

"Megjithatë, numri i autopsive ka rënë me kalimin e kohës, sepse ky ekzaminim nuk ka më interes. Përveç kësaj, imazheria, në saje të përparimit të saj, konsiderohet tashmë një zëvendësuese e autopsisë. Për pasojë, shumica e autopsive të sotme kryhen për të kërkuar shkakun e vdekjes së pacientit dhe jo për të gjetur përgjigje për sëmundjen e tij", përfundon patologu.

 

Circulation. 2018. doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.118.033234
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29915093  


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>