Kardiologji

jan112019

Kardiologët dhe diabetologët i japin jetë një disipline të re mjekësore

Tashmë është e dukshme për të gjithë që po lind një degë e re e mjekësisë, së cilës i mungon vetëm neologjizmi që ta përkufizojë zyrtarisht. Ndërmjet emrave të shumtë si "Kardio-onkologji", "Theranostics" apo "Metabolomics", të marra si shembull, mund të flasim në këtë rast për "Kardiodiabetologji" ose për "Kardiologji metabolike". Për këtë i referohemi ndërveprimit gjithnjë e më të madh ndërmjet kardiologëve dhe diabetologëve, që ka ardhur pas zhvillimit të barnave të reja, si inhibitorët SGLT2 (SGLT2-i) dhe antagonistët e receptorit GLP-1 (GLP-1ra). Është zbuluar në fakt se këto klasa farmakologjike, të projektuara fillimisht si anti-hiperglicemizues (pra që synojnë kontrollin glicemik) pasi iu janë nënshtruar studimeve të sigurisë kardiovaskulare të kërkuara nga enti rregullator amerikan përpara se të miratoheshin, zotëronin një efikasitet surprizues në drejtim të parandalimit kardiovaskular sekondar, duke reduktuar ngjarjet kardiovaskulare, vdekshmërinë, por mbi të gjitha, duke zvogëluar numrin e shtrimeve për dështimin kardiak. Themeluesi në këtë kuptim ka qenë empagliflozina, në momentin e prezantimit zyrtar të rezultateve të studimit EMPA-REG OUTCOME, që ka ardhur gjatë Kongresit Evropian të 51-të të Diabetologjisë (EASD), në Stokholm, më 17 shtator 2015.

Nga ai moment u krijua një lloj procesi i pakthyeshëm dhe menjëherë, një interes i fortë ndaj këtyre molekulave nga fusha të specializuara (si kardiologjia dhe diabetologjia) që edhe pse përfshihen në mënyrë interdisiplinore në menaxhimin e pacientëve me komorbilitet, kurrë që nga koha e daljes së statinave, nuk kishin pasur në dispozicion një armë terapeutike të dobishme në të njëjtën kohë për të dyja disiplinat. Në fakt, pas eksperimenteve të fundit të kryera në fushën e diabetologjisë për të përforcuar provat e sigurisë kardiovaskulare të këtyre principeve (duke kaluar nga evidenca e nevojshme e mosinferioritetit në krahasim me placebon në një ndeshje gjithnjë e më të shpeshtë të superioritetit statistikisht të rëndësishëm), i jemi rikthyer vlerësimit të dobisë së këtyre barnave me më shumë bindje, në rastin e intensifikimit të terapisë tek individët që janë në risk të lartë kardiovaskular. Gjithë kjo ka sjellë pikërisht këtë vit një revolucion në udhëzimet për menaxhimin e diabetit, duke filluar nga Standardet italiane për kurimin e diabetit, për të kaluar tek ADA (American Diabetes Association) dhe më pas tek EASD. Sot është normale që të verifikohet se si, të njëjtat revista të kardiologjisë merren direkt me efektet përfituese që mund të kenë personat me diabet nga SGLT2-i dhe GLP-1ra.

Në të vërtetë, siç u përmend më parë, një sinjal i parë i fortë i afrimit ndërmjet kardiologjisë dhe diabetologjisë ka qenë në fillim të viteve 2000, me daljen e statinave. Interesi i përbashkët në lidhje me këto barna të fuqishme në reduktimin e hiperkolesterolamisë në bazë të pllakave koronarike, përveç komplikacioneve vaskulare të diabetit dhe të efekteve të hiperglicemisë në përbërjen e pjesëzave LDL, kishte sjellë për një periudhë kohe një entuziazëm të madh, pas ridimensionimit nga kalimi progresiv i statinave për përdorim rutinor.

Në çdo rast, situata aktuale është plotësisht e ndryshme. Në veçanti, reduktimi i dukshëm i hospitalizimeve për dështimin kardiak, që arrihet nëpërmjet trajtimit me SGLT2-i dhe GLP-1ra bën që shumë ekspertë të besojnë se ky efekt nuk mund të jetë thjesht pasojë e reduktimit të hemoglobinës së glikuar, por që hyjnë në lojë edhe mekanizmat e tjerë. Nuk është rastësi që po zhvillohen studime në të cilat këto molekula (për shembull, DAPA-HF, i kryer me dapagliflozinën) janë eksperimentuar te pacientët me dështim kardiak kronik qoftë me diabet të tipit 2, qoftë pa diabet të tipit 2. Pra, po shkohet drejt një përdorimi të mundshëm ekskluzivisht kardiologjik të këtyre barnave të reja.

Në thelb, evidentohet një shpërndarje konstante dhe gjithnjë e më e shpejtë e SGLT2-i dhe GLP-1ra ndërmjet diabetologjisë dhe kardiologjisë. Është interesante të vërejmë që evolucioni i mjekësisë ndjek ndonjëherë rrugë të papritura. Në fund, nëse nuk do të ishte e qartë kërkesa nga ana e një enti rregullator ndaj kompanive prodhuese të barnave të reja antidiabetike që të kryejnë studim plotësues mbi sigurinë kardiovaskulare për të kryer regjistrimin, sidoqoftë ndoshta do të ishin vënë re shumë kohë më mbrapa këtyre privilegjeve (për shembull, nëpërmjet analizave post hoc, studimeve retrospektive, analizave të regjistrit), me nevojën për të kryer prova të mëtejshme perspektive ex novo. Të tilla evidenca kanë dhënë një impuls të madh shndërrues për kërkimet bazë mbi arsyet që lidhin funksionalitetit kardiak me gjendjen metabolike.

 

Arturo Zenorini
(Autori falënderon prof. Carlo Bruno Giorda për rishikimin shkencor të artikullit)


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>