Kardiologji

qer242019

Skrinimi për aneurizma të aortës abdominale. Përditësohen rekomandimet

USPSTF-ja (Task-Forca Amerikane e Shërbimeve Parandaluese) ka publikuar në faqen e saj të internetit, një projekt-deklaratë që rikonfirmon rekomandimet e bëra në vitin 2014, në lidhje me skrinimin për aneurizma në aortën abdominale.

"Skrinimi për aneurizma të aortës abdominale dhe riparimi i më të mëdhave prej tyre, mund të parandalojnë një këputje potencialisht fatale dhe burrat e moshuar që janë ose kanë qenë duhanpirës, përfitojnë më shumë nga ky skrinim", thotë Janelle Guirguis-Blake (Qendra e Kërkimeve për Shëndetin Kaiser Permanente, Portland, Oregon), autore kryesore  e studimit që ka shërbyer si bazë për këtë deklaratë.

Hulumtuesit kryen një rishikim sistematik të provave, për të vlerësuar përfitimet dhe efektet e skrinimit për aneurizma në aortën abdominale, përmes ekografisë dhe trajtimin e aneurizmave të vogla në kontekstin e kujdesit parësor. Ata kanë gjetur dëshmi të mjaftueshme për sigurinë dhe saktësinë e ekografisë si një test i skrinimit për aneurizma të aortës abdominale. Rekomandimet në lidhje me aplikimin e skrinimit, megjithatë, ndryshojnë sipas moshës dhe gjinisë së pacientëve, si dhe karakteristikave të tyre individuale.

- Për burrat 65-75 vjeç që janë ose kanë qenë duhanpirës, USPSTF-ja rekomandon kryerjen e skrinimit me ekografi abdominale vetëm një herë (rekomandim i gradës B).

- Për burrat e së njëjtës grupmoshë, që nuk kanë pirë kurrë duhan, sipas dokumentit, ekzaminimi duhet të ofrohet në mënyrë selektive në bazë të preferencave të pacientit dhe faktorëve të rrezikut, siç është historia e sëmundjes së një të afërmi të shkallës së parë (rekomandimi i gradës C).

- Duke u kthyer te gratë në grupmoshën e marrë në konsideratë, për ato që pinë ose kanë pirë duhan, ose kanë histori familjare të aneurizmave të aortës abdominale, nuk ka prova të mjaftueshme për të peshuar përfitimet dhe rreziqet e skrinimit (rekomandimi i gradës I).

- Për pacientët që kurrë nuk kanë pirë duhan dhe që nuk kanë histori familjare të kësaj natyre, nuk rekomandohet ekzaminim (rekomandimi i gradës D).


U.S. Preventive Services Task Force
https://www.uspreventiveservicestaskforce.org/Page/Document/draft-recommendation-statement/abdominal-aortic-aneurysm-screening

https://www.uspreventiveservicestaskforce.org/Page/Document/draft-evidence-review/abdominal-aortic-aneurysm-screening1


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>