Kardiologji

sht122019

Prania e infeksioneve paraprirëse shton rrezikun për iktus

Disa infeksione janë identifikuar si shkaktare të mundshme të iktusit dhe në krye të listës për ngjarje ishemike qëndrojnë infeksionet e traktit urinar, sipas një artikulli të botuar në "Stroke". "Hulumtime të mëparshme kanë marrë në konsideratë infeksionet, si një nga shkaqet e iktusit, por vetëm ndër gjendjet akute infektive dhe variantet ishemike", thotë bashkautori Mandip Dhamoon (profesor i asociuar i neurologjisë në Shkollën e Mjekësisë Icahn, në Nju Jork), duke shpjeguar se ky studim, përkundrazi, ka vlerësuar një gamë më të gjerë të infeksioneve, duke ekzaminuar lidhjen e tyre me dy lloje të tjera të iktusit: hemorragjinë cerebrale dhe subaraknoidale.

"Operatorët dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet të jenë të vetëdijshëm se iktusi mund të shkaktohet edhe nga sepsisi", shkruajnë studiuesit, të cilët u konsultuan me arkivat e spitaleve dhe me departamentet e emergjencave të Nju Jorkut nga viti 2006 deri në vitin 2013, duke përdorur kode elektronike të regjistrimit shëndetësor për të identifikuar shtrimet dhe vizitat në urgjencë për tre llojet e iktuseve dhe për infeksione në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë lëkurën, traktin urinar, gjakun, barkun dhe mushkëritë. Për t'u marrë në konsideratë në llogaritjet statistikore, infeksionet duhej të shfaqeshin 7, 14, 30, 60, 90 dhe 120 ditë para ngjarjes cerebrovaskulare akute.

Për iktusin ishemik, studiuesit zbuluan se çdo lloj infeksioni shoqërohej me një rrezik më të madh, veçanërisht në rastin e infeksioneve të traktit urinar, me një trefishim të probabilitetit brenda 30 ditëve nga fillimi i sepsisit. Për të gjitha llojet e infeksioneve, norma e rrezikut për iktus ulej me rritjen e kohës para iktusit ishemik. Për hemorragjinë cerebrale, sidoqoftë, korrelacioni ishte më i fortë për infeksionet e traktit urinar, septicemisë dhe infeksionet e frymëmarrjes. Këto të fundit, nga ana tjetër, kanë rezultuar infeksionet e vetme që lidheshin me hemorragjinë subaraknoidale.

"Këto të dhëna hapin rrugën për studime të reja për të sqaruar se si dhe pse infeksionet shoqërohen me shfaqjen e llojeve të ndryshme të iktuseve, me shpresën e përmirësimit të aftësisë sonë për të parandaluar gjendjet infektive dhe ngjarjet cerebrovaskulare me vaksinime, regjime antibiotike ose trajtime intensive antitrombotike te pacientët që konsiderohen me rrezik të lartë", përfundon Dhamooni.


Stroke. 2019. doi: 10.1161/STROKEAHA.119.025872
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31242826


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>