Kardiologji

sht252019

Simptomat e infarktit nënvlerësohen nëse...

Njerëzit që kanë pësuar një infarkt me simptoma të shfaqura ngadalë, shpesh kërkojnë ndihmë në një periudhë kohe shumë larg momentit në të cilin është verifikuar eventi, sipas një studimi të publikuar në "European Journal of Cardiovascular Nursing".
Kërkuesit kanë zbuluar se pacientët me shfaqje të ngadaltë të simptomave, janë vonuar deri në tetë orë për të kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa ata që kanë vuajtur nga një simptomatologji akute dhe intensive, vetëm 2,6 orë. "Natyrisht, që të dyja paraqitjet shfaqin emergjencë mjekësore dhe kërkojnë ndihmë urgjente, por studimi ynë tregon se simptomat graduale, shpesh nuk merren seriozisht", konfirmon Sahereh Mirzaei (Universiteti i Ilinoisit në Çikago), që ka udhëhequr grupin e punës.

Autorët kanë bërë një analizë dytësore të një studimi perspektiv shumëqendror të zhvilluar në katër rajone të SHBA-së, në të cilin janë përfshirë 474 pacientë të trajtuar në urgjencë me sindromë koronarike akute (infarkt i miokardit dhe anginë e paqëndrueshme). Gjithsej, koha mesatare mes shfaqjes së simptomave dhe ardhjes në spital ka qenë 4 orë. Simptomat janë manifestuar në mënyrë akute te 56% e pacientëve dhe gradualisht, te 44% e tyre. Te më shumë se gjysma (54%) e burrave me shfaqje të papritur të simptomave dhe diagnozë të infarktit të miokardit me rritje të segementit ST, simptomat janë shfaqur pas një sforcimi fizik.
"Burrat me kardiopati ishemike dhe me faktorë të rreziku, si: hipertension, diabet, kolesterol i lartë apo historik familjar i sëmundjeve kardiake, duhet të jenë të ndërgjegjshëm për faktin që dhimbja e gjoksit apo rraskapitja pas një sforcimi fizik mund të jetë shenjë e atakut të zemrës", shpjegon Mirzaei. Gjithashtu, studimi ka nxjerrë në pah se përdorimi i ambulancës është lidhur me një interval më të shkurtër mes nisjes së simptomave dhe ardhjes në spital, por se një numër i konsiderueshëm njerëzish kanë preferuar të shkojnë në spital me mjetet e veta.

"Dhimbja apo bezdia në gjoks, sido që të shfaqet; në mënyrë të rëndë e të papritur apo të lehtë dhe gradualisht, nuk duhet injoruar. Simptomat që duhet të alarmojnë, përfshijnë edhe dhimbjen e fytit, të qafës, shpinës, stomakut e shpatullave dhe dhimbja mund të shoqërohet nga të përzierat, djersët e ftohta, dobësia, frymëmarrja e shkurtër apo frika. Është thelbësore të thirret menjëherë një ambulancë, sepse sa më parë të merret ndihmë, aq më e mirë është prognoza", përfundojnë autorët.


Eu J Cardiovasc Nurs 2019. Doi: 10.1177/1474515119871734
https://journals.sagepub.com/doi/full/10.1177/1474515119871734


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>