Kardiologji

shk182020

Sëmundjet kardiovaskulare. A përfitojmë më nga aspirina në terma parandalues?

Sipas një artikulli të ri, të botuar në "Family Practice", përhapja e statinave dhe skrinimi për kancer, mund të ketë reduktuar përfitimet e aspirinës në parandalimin parësor për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin.
"Pothuajse gjysma e të rriturve të moshës 70 vjeç e sipër raportuan se merrnin aspirinë çdo ditë edhe pa patur një historik sëmundjeje kardiake apo iktusi. Rreth 40% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara marrin aspirinë për parandalimin parësor të sëmundjeve kardiovaskulare, duke e bërë atë një nga barnat më të përdorura", shpjegojnë Frank Moriarty dhe Mark Ebell (Universiteti i Xhorxhias), autorë të studimit.

Rishikimi i parë i rolit të aspirinës në parandalimin kardiovaskular u bë 30 vjet më parë dhe raportoi një ulje të rrezikut për atak kardiak fatal dhe jo fatal. Raportet e mëtejshme gjetën gjithashtu një reduktim të vdekjeve nga kanceri te pacientët që morën aspirinë për pesë ose më shumë vjet, por nuk pati ulje të vdekjeve kardiovaskulare apo të iktuseve kardiovaskulare dhe kanë treguar vazhdimisht një rrezik të konsiderueshëm për komplikacione hemorragjike serioze. Shumica e këtyre studimeve mbi aspirinën janë kryer në Evropë e në Shtetet e Bashkuara dhe kanë rekrutuar pacientë para vitit 2000. Që nga ajo kohë, është shtuar përdorimi i barnave për uljen e kolesterolit, është përmirësuar menaxhimi i hipertensionit, është ulur përdorimi i duhanit dhe është miratuar gjerësisht kontrolli për kancer kolorektal. Këto janë arsyet se pse studiuesit donin t'i krahasonin këto studime, me katër studime të kohëve të fundit, në shkallë të gjerë. Duke vepruar kështu, autorët vunë në dukje se studimet e fundit mbi aspirinën në parandalimin parësor kanë zbuluar, ndryshe nga ato të mëparshmet, se nuk ka asnjë përfitim mbi vdekshmërinë dhe se ka patur një rritje të konsiderueshme të rrezikut për hemorragji të rënda. Për më tepër, nuk ka prova të uljes së rrezikut për vdekje nga kanceri dhe rrezikut të infarkteve jo fatale.

Për çdo 1000 pacientë që morën aspirinë për pesë vjet, ndodhën katër ngjarje më pak të mëdha kardiovaskulare, por edhe shtatë episode më të mëdha të gjakderdhjes dhe nuk u vërejt ndonjë ndryshim në vdekshmërinë e përgjithshme kardiovaskulare. Autorët përfundojnë se, falë përdorimit të gjerë të statinave dhe kontrollit për kancer në nivel popullsie, aspirina nuk mund ta ulë më rrezikun e përgjithshëm të vdekjes nga kanceri apo infarkti nëse administrohet në parandalimin parësor.

 

Family Practice 2019. Doi: 10.1093/fampra/cmz080
https://doi.org/10.1093/fampra/cmz080


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>