tet62021
Vdekja e papritur kardiake. Dieta konfirmohet si një faktor rreziku i modifikueshëm
Ndjekja e rregullt e një diete që përmban yndyra të shtuara, ushqime të skuqura, vezë, të brendshme, mish të përpunuar dhe pije me sheqer, e cila zakonisht konsumohet në Jug të SHBA-së, mund të rrisë rrezikun e vdekjes së papritur kardiake, ndërsa ndjekja rregullisht e një diete mesdhetare, mund ta zvogëlojë këtë rrezik, sipas hulumtimit të publikuar në Journal of American Heart Association. "Studimi ynë tregon se dieta është një faktor rreziku mbi të cilin ne kemi kontroll", tha James Shikany, nga Universiteti i Alabamës në Birmingham, autori kryesor i studimit.
Studiuesit shqyrtuan të dhënat e më shumë se 21,000 njerëzve të moshës 45 vjeç e lart. Nga pjesëmarrësit, me ose pa histori të sëmundjes koronare të zemrës në fillim të studimit, 56 për qind jetonin në Shtetet e Bashkuara juglindore, një rajon i njohur si "Brezi i iktusit" për shkak të shkallës më të lartë të vdekjeve nga iktusi. Ekspertët vlerësuan dietat e pjesëmarrësve përmes një pyetësori të shpeshtësisë së ushqimit, në të cilin ata u pyetën sa shpesh dhe sa kishin konsumuar 110 ushqime të ndryshme vitin e kaluar. Studiuesit llogaritën një rezultat bazuar në grupet specifike ushqimore të konsideruara të dobishme ose të dëmshme për shëndetin dhe gjithashtu nxorën pesë modele dietike. Më tej, analiza përfshiu, përveç dietës së shteteve jugore, një model dietik me fokus ëmbëlsirat, i cili mori në konsideratë konsumimin e ushqimeve me sheqerna të shtuara, të tilla si çokollata, karamelet dhe ushqimet me sheqer për mëngjes; një model ushqimor "i rehatshëm", i cili bazohej në ushqime të thjeshta për t'u përgatitur, siç janë makaronat, ose ushqime të gatshme si pica, ushqimet meksikane dhe ushqimet kineze; një model dietik me bazë bimore, i pasur me perime, fruta, lëngje frutash, drithëra, fasule, peshk, shpendë dhe kos; dhe një model diete i quajtur "alkool dhe sallatë", me birrë, verë, pije alkoolike së bashku me jeshillëqe, domate dhe salcë sallatash.
Kështu, pas një mesatareje prej thuajse 10 vitesh ndjekjeje, kanë ndodhur më shumë se 400 vdekje të papritura kardiake. Në përgjithësi, pjesëmarrësit që ndoqën një dietë të stilit "shtetet jugore" kishin një rrezik 46% më të lartë për vdekje të papritur kardiake sesa njerëzit që e ndiqnin më pak këtë model ushqimor. Për më tepër, pjesëmarrësit që në përgjithësi ndoqën një dietë tradicionale mesdhetare, kishin një rrezik 26% më të ulët për vdekje të papritur kardiake sesa ata që e respektonin më pak këtë stil ushqyerjeje.
JAHA 2021. Doi: 10.1161/JAHA.120.019158
https://doi.org/10.1161/JAHA.120.019158