Kardiologji

gus262022

Vdekshmëria kardiovaskulare. Konsumimi i vajit të ullirit redukton rrezikun

Sipas një studimi të publikuar në Journal of the American College of Cardiology, konsumimi i më shumë se gjysmë luge vaj ulliri në ditë lidhet me një rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet neurodegjenerative dhe sëmundjet respiratore. Por kjo nuk është e gjitha. Sipas të dhënave të studimit, rreziku më i ulët i vdekshmërisë mund të arrihet edhe duke zëvendësuar rreth 10 gramë në ditë majonezë, margarinë, gjalpë ose yndyrna të produkteve të qumështit me të njëjtën sasi vaji ulliri.

Për autoren kryesore të studimit Marta Guasch-Ferré nga Harvard T.H. Chan School of Public Health, Boston, këto rezultate mbështesin rekomandimet aktuale dietike për konsum më të lartë të vajit të ullirit dhe vajrave bimore të pangopura.

Sipas studiueses mjekët duhet t'i këshillojnë pacientët që të zëvendësojnë yndyrnat si margarina dhe gjalpi me vajin e ullirit, në mënyrë që të përmirësojnë shëndetin e tyre. "Studimi ynë ndihmon për krijimin e rekomandimeve më specifike dhe më të lehta për t'u kuptuar dhe zbatuar nga ana e pacienteve", tha ajo.

Për këtë studim autorët analizuan të dhënat nga mbi 60,000 gra pjesëmarrëse në Nurses Health Study dhe mbi 31,000 burra pjesëmarrës në Health Professionals Follow-up Study, dieta e të cilëve është vlerësuar çdo 4 vjet nëpërmjet pyetësorëve të ndryshëm, në një ndjekje prej 28 vjetësh.

Më pas në bazë të disa parametrave u llogarit konsumi i yndyrës. U vu re se ndërkohë që konsumi i vajit të ullirit është rritur nga viti 1990 deri në vitin 2010, nga 1.6 gram në rreth 4 gram në ditë, ai i margarinës ka rënë nga 12 në 4 gram. Në të njëjtën kohë, konsumi i llojeve të tjera të yndyrës ka mbetur i qëndrueshëm. Krahasuar me ata që nuk kanë konsumuar kurrë ose kanë konsumuar rrallë vaj ulliri, njerëzit që u klasifikuan në kategorinë me konsumin më të lartë kishin një rrezik 19% më të ulët të vdekshmërisë kardiovaskulare, 17% rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga kanceri, 29% rrezik më të ulët të vdekshmërisë për sëmundjet neurodegjenerative dhe 18% rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet respiratore.

Për më tepër, përdorimi i 10 gram vaj ulliri në vend të llojeve të tjera të yndyrës lidhet me një rrezik 8-34% më të ulët të vdekshmërisë totale. Megjithatë, nuk është gjetur asnjë lidhje domethënëse me zëvendësimin e vajrave të tjerë bimorë. Në një editorial të lidhur, theksohet se ky studim dhe studime të tjerë kanë nxjerrë në pah përfitimet e mundshme shëndetësore të konsumimit të vajit të ullirit, dhe gjithashtu theksohet edhe se ekzistojnë ende shumë pyetje në lidhje me këtë temë të cilat kanë nevojë për përgjigje.

 

Journal of the American College of Cardiology 2022. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.10.041.
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.10.041

Journal of the American College of Cardiology 2022. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.11.006.
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.11.006


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>