Kardiologji

nën232022

Ulja e presionit të gjakut redukton rrezikun për demencë

Rezultatet e një studimi të publikuar në European Heart Journal mbështesin provat se trajtimi antihipertensiv te njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar ul rrezikun për demencë.

"Edhe një reduktim i vogël mund të ketë një ndikim të madh global, duke pasur parasysh plakjen e popullsisë dhe koston e kujdesit për njerëzit me demencë", tha autorja kryesore e studimit Ruth Peters nga Neuroscience Research Australia.

Shpesh, kur analizohen përfitimet nga ulja së presionit të gjakut, fokusi është tek ato në nivel kardiak, ndërsa pak studime e kanë vlerësuar demencën si rezultat. Për më tepër, duke pasur parasysh ndikimin e rëndësishëm të uljes së presionit të gjakut në ngjarjet kardiovaskulare, shumë prova ndërpriten herët.

Për të përcaktuar më mirë efektet e një trajtimi për presionin e gjakut në parandalimin e demencës, studiuesit analizuan të dhëna individuale të grumbulluara nga pjesëmarrësit e 5 studimeve me përzgjedhje rastësore dyfish të verbër, të kontrolluara me placebo. Kështu, u përfshinë mbi 28,000 njerëz nga 20 vende të ndryshme me moshë mesatare rreth 69 vjeç.

Analizat treguan se te popullata e moshuar trajtimi për presionin e gjakut ka pasur një efekt të rëndësishëm në reduktimin e mundësive për zhvillimin e demencës. Në veçanti, një ulje mesatare e presionit të gjakut prej 10/4 mmHg për shkak të trajtimit antihipertensiv, uli gjithashtu incidencën e demencës (raporti i mundësive 0.87).

Rezultate të ngjashme dolën edhe nga një analizë e cila e ka konsideruar vdekjen si një rrezik konkurrues, dhe u zbulua gjithashtu se mosha dhe gjinia nuk e ndryshonin efektin. Për më tepër, një ulje më e madhe e presionit të gjakut në grupin që mori trajtimin u shoqërua me një reduktim më të madh të rrezikut për demencë.

"Rezultatet tona nënkuptojnë një lidhje të madhe lineare midis reduktimit të presionit të gjakut dhe zvogëlimit të rrezikut për demencë, pavarësisht nga lloji i trajtimit të përdorur. Aktualisht, ne ofrojmë shkallën më të lartë të provave në dispozicion për të demonstruar se trajtimi antihipertensiv për disa vite zvogëlon rrezikun për demencë", shkruajnë studiuesit.

Ajo që nuk është ende e qartë është nëse ulja e mëtejshme e presionit të gjakut te njerëzit me presion nën kontroll ose fillimi i hershëm i trajtimit mund të zvogëlojë rrezikun e demencës në një afat më të gjatë.

 

European Heart Journal 2022. Doi: 10.1093/eurheartj/ehac584.
https://doi.org/10.1093/eurheartj/ehac584


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>