jan152016
Reduktohen amputimet në të sëmurët me diabet
Nga një studim i publikuar në revistën "Diabetologia", rezulton një reduktim domethënës i amputimeve që lidhen me diabetin duke filluar nga gjysma e viteve '90, gjë që sipas autorëve të koordinuar nga Henning Beck-Nielsen nga Spitali universitar në Odense (Danimarkë), varet nga përmirësimi gradual i kurës. "Amputimet e gjymtyrëve të poshtme janë ndër komplikimet më të rënda të sëmundjes e që shkaktojnë invaliditet dhe bëhen të nevojshme kur vaskulopatia periferike komprometon furnizimin me gjak të gjymtyrëve të poshtme duke filluar nga ekstremitetet, ku ulcerat me nekrozë të mëvonshme janë motiv i shpeshtë për shtrimet në spital", shkruajnë kërkuesit.
Beck-Nielsen dhe kolegët kanë analizuar shkallët e amputimeve të kryera midis viteve 1996 - 2011 në rajonin danez të Fionias, i cili me 500 mijë rezidentët e tij konsiderohet përfaqësues i popullsisë në nivel kombëtar. Studiuesit kontrolluan të dhënat e mbledhura me ato që lidhen me diabetin të nxjerra nga "Danish nacional diabetes register" dhe nga "Civil registration system". Rezultatet tregojnë një ulje domethënëse të amputimeve që lidhen me diabetin të barabartë me 10% poshtë kyçit të këmbës dhe me 15% poshtë gjurit. Nga ana tjetër në të njëjtin interval kohor, shkallët e amputimeve që nuk ishin të lidhura me diabetin si ato të shkaktuara nga sëmundjet vaskulare mbetën të pandryshuara.
"Por pavarësisht reduktimit numerik të intervaleve, ndër të sëmurët me diabet risku i amputimeve mbetet i lartë krahasuar me jo diabetikët: rreth 11 herë më i lartë për amputimet poshtë kyçit të këmbës, 7 herë për ato poshtë gjurit dhe 4 herë për ato mbi gju. "Reduktimi i shkallës së amputimeve te diabetikët nuk mund të shpjegohet me përmirësimin e teknikave kirurgjikale që janë të ngjashme edhe për jo diabetikët, por mundësisht varet nga përmirësimi i kontrollit metabolik të përftuar me futjen e barnave të reja, nga programe screening nga më të avancuarat dhe duke ndjekur një stil jete më të shëndetshëm", përfundon Beck-Nielsen.
Diabetologia. 2016. doi: 10.1007/s00125-015-3781-7
Përktheu: Erjola Taga