Diabetologji

tet242017

Diabeti 1, një test i ri që mat ashpërsinë dhe riskun e komplikimeve

Një test diagnostikues që mat te pacientët me diabet tip 1 (DM1), vetëm me anë të një marrjeje venoze të gjakut, shkallën e sëmundjes, duke parashikuar kështu riskun për komplikime si retinopatia, nefropatia dhe hipertensioni. Testi është vlerësuar nga një grup kërkuesish nga Universiteti Katolik Sacro Cuore dhe Fondacioni Policlinico Gemelli në Romë. Teknika e radhës është e dobishme për diabetologët, pasi iu jep mundësinë atyre që të kuptojnë kapacitetin e pacientëve për të monitoruar dhe mbajtur nën kontroll afatgjatë gliceminë. Metoda bazohet në një software me sensibilitet të lartë, të programuar për të njohur nga imazhet mikroskopike të qelizave të kuqe të gjakut (RBC) çrregullimet dhe dëmet e membranës që shkaktohen kur personi me DM1 përballet me shumë episode hiperglicemike, domethënë nuk kontrollon mirë sëmundjen.
Siç dihet, aktualisht kontrolli i progresionit të DM1 dhe i riskut të komplikimeve vaskulare bazohet në matjen e hemoglobinës së glikuar (HbA1c). Megjithatë së fundi janë shfaqur jo pak dyshime mbi besueshmërinë e këtij testi, pasi shpesh verifikohen komplikime vaskulare edhe te ata që kanë vlera gjithmonë në normë. "Glikozilimi, oksidimi dhe modifikime të tjera post-translatore të proteinave të membranës dhe transmembranës mund të ndryshojnë densitetin, grumbullimin dhe ndërveprimin e lipideve dhe konsiderohen një faktor i rëndësishëm që ndikon ndryshueshmërinë e fluiditetit të membranave", shpjegojnë autorët. Për këtë arsye, kërkuesit kanë menduar se matja e çrregullimeve të fluiditetit të membranës së RBC mund të ofronte një tregues më sensitiv për diagnozën dhe vlerësimin e progresionit të sëmundjes në DM1, në krahasim me HbA1c, që reflekton vetëm informacionet që lidhen me proceset e glikozilimit. "Nëpërmjet një qasjeje mikroskopike funskionale me dy fotone, - shpjegojnë, - kemi rikuperuar harta të fluiditetit në shkallë submikrometrike të RBC të pacientëve me DM1, me dhe pa komplikime, duke zbuluar një ekuilibër të ndryshuar në membranë".
Studiuesit gjithashtu kanë zbuluar se zhvillohet një ndarje fazore mes domeneve  fluide dhe të ngurta nxitur nga efektet sistematike mbi fluiditetin e membranave, të shkaktuar nga glikimi dhe oksidimi. Arrihet kështu në pikën thelbësore. "Modelet të ndarjes fazore janë të ndryshme midis individëve të shëndetshëm, pacientëve me DM1 pa komplikime ose atyre me komplikime", shkruajnë autorët e studimit. Gjithashtu, "përmbajtjet e kolesterolit dhe LDL-së në gjak lidhen pozitivisht me llojin e modelit të ndarjes fazore. Për të matur një entitet të tillë përdoret një qasje automatike në zhvillimin e një sistemi në mbështetje të sistemit vendimmarrës (DSS, Decision-support-system), i cili është në gjendje që të njohë modele të ndryshme të fluiditetit në RBC. Analiza paraprake tregon ndryshime domethënëse (p<0,001) mes individëve të shëndetshëm, pacientëve DM1 dhe pacientëve DM1 me komplikime". Në terma teknikë ky është principi në të cilin bazohet testi.
Zhvillimi i një dozimi të bazuar në ndarjen fazore të membranës plazmatike të RGB, - shprehen autorët, - mund të jetë një instrument i dobishëm për diagnozën dhe monitorimin e progresionit të DM1, përveç se lejon personalizimin dhe seleksionimin e trajtimeve mjekësore në praktikën klinike dhe identifikimin e hershëm të komplikimeve. Por nevojitet që të punojmë me një prototip që të ulë kostot e realizimit. "Testi me shumë mundësi mund të arrijë në përdorim klinik në harkun e pak viteve", shprehet Maulucci.

 

PLoS One, 2017;12(9):e0184109.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28880900


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>