dhj112017
Diabeti dhe mbipesha, shkaqet kryesore të kancerit
Diabeti dhe indeksi i masës trupore (BMI) më i lartë se 25 kg/m2 janë shkaktarë të 5,6% të rasteve të kancerit në të gjithë botën, në vitin 2012, gjithsej, 792.600 raste. Ky ka qenë përfundimi i një studimi të publikuar në "The Lancet Diabetes & Endocrinology". Vlerësimet e bëra dalin në përfundimin se në rang botëror, 422 milionë të rritur janë të prekur nga diabeti dhe 2,01 miliardë janë në mbipeshë, ose obezë.
"Me shtimin e këtyre faktorëve të rrezikut për kancerin, përpjekjet klinike dhe të shëndetit publik duhet të përqendrohen në identifikimin e masave parandaluese dhe kontrollet shëndetësore si për popullsinë, ashtu edhe për pacientët e veçantë. Është e rëndësishme të aktualizohen politika ushqimore për të përballuar përhapjen në rritje të diabetit, indeksin e lartë të masës trupore dhe sëmundjet e lidhura me këta faktorë të rrezikut", shpjegon Jonathan Pearson-Stuttard, nga Kolegji Mbretëror i Londrës në Mbretërinë e Bashkuar, autor kryesor i studimit.
Kërkuesit kanë vlerësuar shtimin e rasteve të reja të 18 llojeve të kancerit për shkak të diabetit dhe të treguesit të lartë të masës trupore në 175 vende, në periudhën 1980-2002. Rezultatet tregojnë se pjesa më e madhe e rasteve me kancer që iu atribuohen këtyre dy faktorëve të riskut, janë verifikuar në vendet perëndimore me të ardhura të larta (38,2%; 303.000 në 792.600 raste), ndjekur nga vendet e Azisë lindore dhe juglindore (24,1%; 190.900/792.600 raste).
Megjithëse tumoret janë ende jo shumë të zakonshme në vendet me të ardhura mesatare-të ulëta krahasuar me kombet me të ardhura më të larta, në popullsinë e këtyre vendeve është vënë re një shtim i dukshëm i niveleve të diabetit dhe të treguesit të masës trupore në periudhën 1980-2002.
Duke u bazuar në parashikimet për përhapjen e diabetit dhe rritjen e BMI-së për vitin 2025, kërkuesit kanë vlerësuar se raporti i tumoreve të lidhura me to, do të rritet mesatarisht më shumë se 30% te gratë dhe 20% te burrat.
"Siç parashikon ky studim, në botë, rastet e kancerit të shkaktuar nga treguesi i lartë i masës trupore dhe diabeti do të vazhdojë të rritet për sa kohë mbizotërimi i këtyre kushteve nuk do të pakësohet. Si obeziteti, ashtu edhe diabeti, janë shkaktarë të evitueshëm të kancerit, por për këtë është e nevojshme një ndërhyrje në shumë nivele: në atë individual, të komunitetit, të sistemeve të asistencës shëndetësore dhe politike. Është e nevojshme hedhja e hapave më të fuqishëm për të ndihmuar në ruajtjen e një peshe trupore të shëndetshme përgjatë të gjithë jetës, duke nisur që nga vegjëlia", shkruajnë në editorialin shoqërues Yikyung Park e Graham Colditz, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Uashingtonit, në Shtetet e Bashkuara.
The Lancet Diab & Endoc 2017. Doi: 10.1016/S2213-8587(17)30366-2 http://ëëë.thelancet.com/journals/landia/article/PIIS2213-8587(17)30366-2/fulltext
The Lancet Diab & Endoc 2017. Doi: 10.1016/S2213-8587(17)30396-0 http://ëëë.thelancet.com/journals/landia/article/PIIS2213-8587(17)30396-0/fulltext