Diabetologji

mar272018

Diabeti, jo vetëm redukton vitet e jetës, por ndikon edhe në produktivitet

Parandalimi i diabetit jo vetëm që mund të zgjasë jetën, por mund të shtojë edhe vitet e jetës prodhuese. "Të dhënat mbi ndikimin e diabetit në produktivitet janë të pamjaftueshme", deklaron Dianna Magliano (Universiteti Monash në Melburn), koordinatore e studimit australian, duke shpjeguar se nga vlerësimet e bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalin humbje vjetore deri në 58 miliardë dollarë për shkak të lidhjes që qëndron mes diabetit dhe humbjes së punës, reduktimit të efikasitetit në punë, ose invaliditetit të përhershëm dhe vdekshmërisë.

"Në Australi, përkundrazi, të dhënat e disponueshme sugjerojnë se ata që vuajnë nga diabeti, marrin 88% më pak të ardhura, krahasuar me ata që nuk vuajnë nga kjo patologji, për shkak të normës së lartë të humbjes së punës", shkruajnë autorët, që e kanë vlerësuar ndikimin e diabetit në produktivitetin e popullsisë duke përdorur një njësi të re matëse, atë të quajtur PALY (vite jete të përshtatura sipas produktivitetit).

"PALY kombinon gjatësinë e jetës me kapacitetin prodhues të një individi: PALY e barabartë me 1 paraqet produktivitetin e plotë, ndërkohë që një vlerë prej 0,8 shpreh një humbje të kapacitetit të punës me 20%", shpjegojnë autorët.

Rezultatet tregojnë se diabeti jo vetëm që uli me 3% vitet e jetës për pjesëmarrësit e kohortes, por reduktoi edhe PALY-n me 11,6% te burrat dhe me 10,5% te gratë.

"Në të dyja gjinitë, ndikimi i sëmundjes mbi produktivitet është më i vogël në grupmoshën 65-69 vjeç dhe më i lartë në atë 20-24 vjeç", saktëson kërkuesja, duke nënvizuar se mes më të rinjve, rënia e PALY-t ka qenë në masën 12,2% te meshkujt dhe 11% te gratë.

"Këto të dhëna tregojnë se diabeti i imponon popullsisë australiane një haraç të rëndë, jo vetëm në kuptimin e shëndetit dhe të mirëqenies, por edhe përsa i përket produktivitetit, që është i destinuar të shtohet me hapa të barabartë me shtimin e rasteve me këtë sëmundje", përfundojnë autorët, duke nënvizuar se është e rëndësishme që politikanët dhe punëdhënësit të zhvillojnë strategji parandaluese edhe për kontrollin e diabetit duke vënë në punë fonde që duhen parë si një investim i nevojshëm dhe jo si shpenzime të tepërta, siç ndodh zakonisht.

 

Diabetes Care. 2018. doi: 10.2337/dc17-2138
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29490901


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>