dhj32018
Kontrolli glicemik. Kardiologët amerikanë këshillojnë përdorim të barnave të reja
Kolegji Amerikan i Kardiologjisë ka bërë të njohur një vendim konsensusi të ekspertëve që synon edukimin e kardiologëve për përdorimin e dy klasave të reja të barnave të diabetit: frenuesit e bashkëtransportuesve të sodium-glukozës 2 (SGLT2) dhe antagonistët e receptorit GLP-1 (GLP-1RA), që kanë rezultuar efektivë në reduktimin e rezultateve negative te pacientët me sëmundje kardiovaskulare dhe diabet.
Rekomandimet janë publikuar në "Journal of the American College of Cardiology" dhe janë mbështetur nga Shoqata Amerikane e Diabetit. Shtysë për dokumentin e konsensusit ka qenë vetëdija për ekzistencën e një numri agjentësh të rinj të disponueshëm që zvogëlojnë rrezikun e rezultateve kardiovaskulare te pacientët me diabet dhe sëmundje aterosklerotike kardiovaskulare.
"Shumë pacientë me sëmundje aterosklerotike kanë diabet, por shumica e kardiologëve nuk përfshihen në kontrollin e glukozës, e cila mbetet në përgjegjësinë e endokrinologëve ose të mjekëve të kujdesit parësor. Megjithatë, duke qenë se këto klasa të reja barnash kanë treguar zvogëlim të rrezikut kardiovaskular te pacientët me sëmundje të zemrës dhe diabetit, kardiologët duhet të jenë të vetëdijshëm për këto përfitime", shpjegon Brendan Everett (Spitali i Grave në Boston), i cili ka punuar në hartimin e dokumentit.
Sipas ekspertëve, mjekët duhet të orientohen në bazë të udhëzimeve për të ofruar trajtime për uljen e lipideve, terapi anti-trombocitike dhe trajtime hipoglicemike, siç është metformina. Në të njëjtën kohë, duhet të merret parasysh shtimi i një inhibitori SGLT2, mundësisht empagliflozinë, ose një GLP-1RA, në veçanti liraglutide.
Natyrisht, do të jetë e nevojshme të diskutohet me pacientin shtimi i barnave, duke vënë në dukje se frenuesit e SGLT2 kanë qenë të lidhur me një reduktim 14% të rrezikut për ngjarje të mëdha negative kardiovaskulare krahasuar me placebon dhe se barnat GLP1RA kanë qenë të lidhura me një reduktim të rrezikut i cili në vlerësime arrin 26%, edhe pse në disa studime nuk është vërejtur ndonjë përfitim i konsiderueshëm. Së fundi, pacientët duhet të dinë gjithashtu se frenuesit SGLT2 rrisin rrezikun e infeksioneve mykotike gjenitale dhe se barnat GLP-1RA shoqërohen me nauze kalimtare dhe të vjella.
JACC 2018. Doi: 10.1016/j.jacc.2018.09.020
http://www.onlinejacc.org/content/early/2018/11/23/j.jacc.2018.09.020