Diabetologji

shk52020

Diabeti i tipit 1: nivelet e larta të lipoproteinës (a) lidhen me një rrezik më të lartë kardiovaskular

Te njerëzit e prekur nga diabeti i tipit 1, lipoproteina (a) [Lp(a)] paraqitet si një faktor rreziku për sëmundjet makrovaskulare, albuminurinë dhe sëmundjen kalcifikuese të valvulës aortike. Këtë e ka thënë një studim vëzhgues i publikuar në "Diabetes Care", që tregon se pacientët me kontroll të mirë glicemik, në të cilin hemoglobina A1c është më e ulët se 6,9%, kanë nivele më të ulëta të Lp(a).

Siç e shpjegon autorja Karin Littmann (Instituti Karolinska i Stokholmit), nivelet e larta të Lp(a), më të larta se 120 nmol/L, shtojnë rrezikun tashmë të rritur të këtyre pacientëve për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. "Nivelet e këtyre lipideve në gjak, duhen matur dhe duhet të bëhen pjesë e vlerësimit të rrezikut të përgjithshëm", konfirmon ajo. Një studim i kohëve të fundit kishte treguar një lidhje të diabetit të tipit 2 dhe të niveleve të larta të Lp(a) me një rrezik më të madh për evente kardiovaskulare, krahasuar me mungesën e diabetit apo me nivelet Lp(a)<24 nmol/L.

Littmanni dhe kolegët, kanë dashur të studiojnë kështu Lp(a) në diabetin e tipit 1. Për këtë qëllim, 1.860 pacientë me moshë mesatare 48 vjeç dhe kohëzgjatje mesatare të diabetit prej 25 vjetësh, janë ndarë në grupe në bazë të niveleve të Lp(a): shumë të ulëta (<10 nmol/L), të ulëta (10-30 nmol/L), mesatare (30-120 nmol/L) dhe të larta (>120 nmol/L). Pas rregullimeve sipas moshës dhe sipas gjendjes së duhanpirjes, pacientët në grupin me nivele të larta të Lp(a) kanë shfaqur më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundjen kalcifikuese të valvulës aortike, albumineri, ulcera të këmbës diabetike apo një përzierje të kardiopatisë koronarike, sëmundjes cerebrovaskulare dhe ulcerës së këmbës diabetike, krahasuar me pacientët me nivele shumë të ulëta.

Autorët i pranojnë kufizimet e studimit, mes të cilave, natyra vëzhguese, por nënvizojnë se Lp(a), nivelet plazmatike të së cilës përcaktohen në pjesën më të madhe nga gjenet dhe nga etnia e më pak nga mosha, seksi e dieta, shfaqet si një objektiv klinikisht i rëndësishëm, me trajtimet e reja farmakologjike me oligonukleotidet e kundërta, që janë aktualisht në zhvillim. Duhet vënë në dukje se me rastin e sesioneve të Shoqatës Shkencore Amerikane të Zemrës të vitit 2018, janë paraqitur rezultatet e një eksperimentimi të fazës 2b, sa i përket pikërisht një oligonukleotidi të kundërt.
"Nëse ai shfaqet efikas dhe i sigurt, një qasje e tillë mund të përfaqësonte një opsion terapeutik për këtë grup pacientësh me rrezik të lartë intrinsek për sëmundje kardiovaskulare", përfundon Littmani.

 

Diabetes Care. 2019. Doi: 10.2337/dc19-1398
https://doi.org/10.2337/dc19-1398


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>