Diabetologji

qer232020

Diabeti. Në dispozicion, mjeti i ri për monitorimin e glukozës

Një sistem i ri për monitorimin e glukozës në distancë, do t'u tregojë në kohë reale të sëmurëve me diabet se kur vlerat e glukozës janë shumë të ulëta ose shumë të larta. Sistemi, i prodhuar nga Abbott, i cili përdor teknologjinë Bluetooth, i transmeton të dhënat e glukozës çdo minutë te lexuesi ose në një smartfon të lidhur me të.
Leximi i nivelit të glukozës kryhet falë një sensori të vogël, të lehtë për t'u aplikuar në pjesën e pasme të krahut, i cili mund të mbahet veshur deri në 14 ditë. Falë një skanimi pa dhimbje brenda një sekonde, mund të kontrollohet vlera e glukozës në kohë reale, shigjeta e trendit dhe historiku i glukozës, pa qenë i nevojshëm shpimi i gishtit. Sistemi gjithashtu ofron alarme të personalizueshme dhe opsionale që paralajmërojnë kur vlerat janë shumë të ulëta ose shumë të larta.
"Alarmet opsionale të glukozës mund të jenë një karakteristikë e rëndësishme për menaxhimin e diabetit në disa grupe specifike njerëzish, siç janë për shembull fëmijët ose njerëzit me rrezik të lartë për hipo ose hiperglicemi", deklaron Massimiliano Bindi (drejtori rajonal i Evropës Juglindore dhe Italisë për Diabetin, në Abbott). "Me FreeStyle Libre 2, të sëmurët me diabet kanë më shumë mundësi të zgjedhin se si ta menaxhojnë gjendjen e tyre përmes alarmeve".

Një studim i fundit në botën reale, i botuar në "British Medical Journal" tregoi se përdorimi i sistemit FreeStyle Libre për një vit, pati një ndikim pozitiv në cilësinë e jetës dhe rezultatet klinike të njerëzve me diabet të tipit 1 dhe 2: 77% kanë më pak episode hipoglicemike, 78% kanë hipoglicemi më pak të rënda. Mungesa në punë dhe shtrimet në spital për shkak të diabetit janë pakësuar me dy të tretat. "Sistemi FreeStyle Libre 2 ruan karakteristikat e thjeshtësisë dhe qasjes së gjeneratës së parë dhe u jep mundësi pacientëve të kenë në dispozicion alarme glicemike opsionale", thotë Dario Pitocco (profesor i asociuar i Endokrinologjisë në Universitetin Katolik të Romës). "Me këtë sistem, pacienti është gjithmonë protagonist i menaxhimit të tij: pas alarmit, ai skanon dhe përdor informacionin për të marrë vendime të përshtatshme terapeutike. Këto pajisje, duke bërë një kontroll shumë të shpeshtë të vlerave, ndihmojnë mjekun dhe të sëmurët me diabet që të kuptojnë më mirë trendin e niveleve të sheqerit në gjak".

Me aplikacionin falas FreeStyle LibreLink, pacientët mund t'i marrin të dhënat e glukozës në smartfonin e tyre dhe informacioni mund të ngarkohet në një platformë që lejon ndarjen 24/7 me mjekun e tyre, pa pasur nevojë për vizitë ambulatore. Ky ekosistem dixhital u jep mundësinë profesionistëve të kujdesit shëndetësor që të lexojnë në distancë normat e glukozës, për të rishikuar përparimin e pacientit me kalimin e kohës.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>