sht152020
Diabeti i tipit 2, me fillim të hershëm mund të shoqërohet me dëmtime konjitive
Adoleshentët dhe të rriturit e rinj diabetikë shfaqin deficite konjitive të ndryshueshme që mund të ndikojnë negativisht në vetëmonitorim, si dhe në aftësitë e zhvillimit personal, raporton Allison Shapiro (Universiteti i Kolorados në Denver), në një raport në kongresin vjetor shkencor të Shoqatës Amerikane të Diabetit, këtë vit, në format virtual. "Subjektet me diabet të tipit 1 ose 2 me fillim të hershëm, kanë patur rezultate nën mesataren në testet që matin të menduarit fleksibël dhe zgjidhjen e problemeve", shkruajnë studiuesit, pasi analizuan 1,380 pjesëmarrës në studimin "Search for Diabetes in Youth".
"Këto të dhëna sugjerojnë se diabeti i diagnostikuar para moshës 20-vjeçare kontribuon në rënien e funksionit konjitiv", tha Shapiro, duke shtuar se pacientët me diabet të tipit 2 (T2D) performuan më keq se ata me diabet të tipit 1 (T1D), veçanërisht në fushën konjitive të kristalizuar, e cila përfshin aftësi të tilla si gjuha dhe fjalori. "Megjithëse studimet për të rriturit sugjerojnë qartë një lidhje midis diabetit dhe dëmtimit konjitiv, shumica e hulumtimeve mbi të rinjtë janë përqendruar në T1D. "Sidoqoftë, të dhënat e pakta të mbledhura te T2D me fillim të hershëm, nxjerrin në mënyrë të vazhdueshme praninë e deficiteve konjitive, në krahasim me moshatarët jodiabetikë", thonë autorët, të cilët analizuan 1,095 të rinj me T1D dhe 285 me T2D. Mosha mesatare ishte 22 vjeç dhe kohëzgjatja e diabetit, 11 vjet. Ata i janë nënshtruar vlerësimit konjitiv si pjesë e një vizite ndjekjeje. Rezultati i përgjithshëm konjitiv ishte dukshëm më i ulët në subjektet me T2D sesa në ata me T1D.
"E thënë në shifra, krahasuar me rezultatin mesatar kombëtar prej 100, grupi T2D shënoi 84.7, ndërsa rezultati i marrë nga grupi T1D ishte 95.5. Pjesëmarrësit me T2D patën rezultate më të ulëta edhe sa i përket vetëkontrollit, vëmendjes, kujtesës në punë dhe kujtesës episodike", komenton Shapiro.
Mdedge Endocrinology
https://www.mdedge.com/endocrinology/article/224775/diabetes/cognitive-deficits-complex-youths-type-2-diabetes