Diabetologji

jan152021

Asistenca ndaj diabetikëve. Udhëzuesi për shtresimin e rrezikut

Shoqata e Diabetologëve Klinikë Britanikë (ABCD), së bashku me përfaqësuesit e Diabetes UK dhe Rrjeti i Kujdesit Parësor të Diabetit, ka krijuar një udhëzues për të mundësuar shtresimin më të mirë të rrezikut te pacientët e rritur me diabet gjatë pandemisë Covid-19, udhëzues ky, që mund të jetë i dobishëm edhe më vonë. Rekomandimet e botuara në "Diabetic Medicine", mund të ndihmojnë për t'u dhënë përparësi pacientëve, duke i identifikuar ata në grupet "Urgjent", "Prioritet" dhe "Rutinë" (të shënuara përkatësisht me të kuqe, të verdhë dhe jeshile) në bazë të faktorëve të shumëfishtë të rrezikut.

Në muajt e parë të pandemisë, përqendrimi te përgjigjja ndaj emergjencës, pati ndikim të madh në ofrimin e kujdesit klinik rutinë për diabetikët dhe me valën e dytë, sfidat kryesore përfshijnë akumulimin e takimeve, vonesat në qasjen në trajtim dhe në fillimin e insulinës, terapisë GLP-1 ose teknologjive për diabetin. "Nuk ka gjasa që të mund të kthehemi në normalitet në muajt e ardhshëm dhe për këtë arsye ne besojmë se do të jetë thelbësore të identifikojmë pacientët në rrezik më të madh, për t'i dhënë përparësi kurimit të tyre", shkruajnë autorët. Gjithashtu sigurohet një afat kohor brenda të cilit duhet të shihen pacientët. Ndërsa pacientët në grupet "Urgjent" dhe "Prioritet" duhet të shihen brenda 3 dhe 6 muajve personalisht ose virtualisht (përkatësisht) dhe do të nevojiten 3-6 dhe 2-3 kontakte gjatë vitit të ardhshëm, pacientët në grupin "Rutinë" duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të duhet të presin deri në verën e ardhshme. Për autorët, grupet e specializuara dhe ato të kujdesit parësor duhet të punojnë së bashku për të identifikuar grupet "Urgjent" dhe "Prioritet".

"Bazat e të dhënave të përbashkëta do të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve në rrezik dhe ofrimin e kujdesit të përbashkët midis ekipeve të specializuara dhe të kujdesit parësor", shkruajnë ata. Për më tepër, theksohet nevoja për të "rimodeluar" përdorimin e burimeve fizike dhe njerëzore, duke kaluar në një sistem që, në vend që të sigurojë takime rutinë çdo 3-6 muaj, u përgjigjet nevojave individuale.

"Ne duam të sigurohemi që personi i duhur, të takojë mjekun e duhur, në kohën e duhur dhe në mjedisin e duhur", thonë autorët, të cilët gjithashtu vërejnë se tashmë ka një përdorim të gjerë të konsultave virtuale. "Përdorimi i teknologjisë, modeleve të kujdesit të integruar dhe konsultave virtuale për mbështetjen e diabetikëve në mënyrë më të matur, do të jetë një trashëgimi e çmuar e pandemisë Covid-19", përfundojnë ata.


Diabet Med. 2020. Doi: 10.1111/dme.14462
https://doi.org/10.1111/dme.14462


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>