Diabetologji

jan312022

Diabeti i tipit 1. Shpresa që vjen nga qelizat staminale

Në një studim klinik të fazës 1/2, tregohet se si, pas transplantimit të një lloji të veçantë të qelizave në një numër të vogël pacientësh me diabet të tipit 1, është verifikuar sekretimi i insulinës. Ishte një implantim i qelizave të endodermës pankreatike (PEC) që rrjedhin nga qelizat staminale të shumëfuqishme njerëzore (PSC). Sekretimi i insulinës nuk duket të ketë efekte klinike, por kjo nuk mohon faktin që, për herë të parë demonstrohet sekretimi nga qelizat staminale te njerëzit. Të dhënat e studimit u raportuan në 2 artikuj, njëri i botuar në Cell Stem Cell dhe tjetri në Cell Reports Medicine.

Sipas njërit prej autorëve të një artikulli komentues që u botua në Cell Stem Cell, Eelco de Koning i Qendrës Mjekësore Universitare Leiden, është vendosur një pikë referimi. "Mundësia e një furnizimi të pakufizuar të qelizave që prodhojnë insulinë, u jep shpresë njerëzve që jetojnë me diabet të tipit 1", tha ai. "Pavarësisht mungesës së efekteve klinike përkatëse, ky studim do të mbetet një moment historik në fushën e terapive të zëvendësimit të qelizave që rrjedhin nga PSC-të njerëzore, pasi është një nga të parët që raporton mbijetesën dhe funksionimin e qelizave një vit pas transplantimit", shpjegoi ai. Për t'u implantuar nën lëkurë, PEC-të u vendosën në pajisje makrokapsulimi, të cilat lejuan vaskularizimin e drejtpërdrejtë të qelizave. Më pas, pjesëmarrësit iu nënshtruan një trajtimi imunosupresiv. Të dhënat e raportuara në Cell Stem Cell tregojnë se si qelizat, të quajtura PEC-01, mbijetuan dhe se si, në 26 javët pas transplantimit, ato u maturuan në qeliza sekretuese të insulinës dhe reaguese ndaj glukozës. Gjatë një viti ndjekjeje, kërkesat për insulinë të pacientëve të prekur u ulën me 20% dhe koha e kaluar në intervalin e synuar të glukozës u rrit me 13%. Implanti në përgjithësi tolerohej mirë, por 2 pacientë patën efekte negative serioze të lidhura me trajtimin imunosupresiv.

Në Cell Report Medicine tregohet se si në 63% të pajisjeve të eksplantuara 3 deri në 12 muaj pas implantimit, u verifikua shprehja e insulinës. Duket se grumbullimi i qelizave sekretuese të insulinës ka ndodhur në rreth 6-9 muaj nga momenti i implantimit. Edhe në këtë rast, efektet anësore rrjedhin nga terapia imunosupresive, ose lidhen me procedurat e nevojshme për implantin ose eksplantin. Të shumta janë të dhënat e marra dhe, po aq janë edhe pyetjet që nuk kanë ende përgjigje. Me pak fjalë, sipas Koningut, rruga është ende e gjatë. "Por, më në fund ka filluar një epokë për aplikimin klinik të terapisë novatore të zëvendësimit të ishujve me bazë qelizat staminale për trajtimin e diabetit", tha ai.


Cell Stem Cell. Doi: 10.1016/j.stem.2021.10.003.
https://doi.org/10.1016/j.stem.2021.10.003

Cell Reports Medicine Doi: 10.1016/j.xcrm.2021.100466.
https://doi.org/10.1016/j.xcrm.2021.100466

Cell Stem Cell. Doi: 10.1016/j.stem.2021.11.00.
https://doi.org/10.1016/j.stem.2021.11.00


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>