Diabetologji

dhj142022

Çrregullimet e gjumit shtojnë rrezikun për diabet të tipit 2

Sipas një studimi të publikuar në The Science of Diabetes Self-Management and Care, njerëzit që kanë çrregullime të gjumit kanë gjithashtu më shumë mundësi të kenë tregues të sëmundjeve kardiometabolike, përkatësisht shënjuesit inflamatorë, kolesterolin dhe peshën trupore, të cilat mund të rrisin rrezikun për diabet të tipit 2.

"Të gjithë e dinë se gjumi është i rëndësishëm. Por, kur mendojmë për gjumin, fokusohemi kryesisht në kohëzgjatjen e tij, ndërkohë që duhet të marrim parasysh edhe përvojën tonë të gjumit në tërësi", shpjegon autorja kryesore e studimit Lisa Matricciani nga Universiteti i Australisë Jugore.

"Sa thellë flemë, kur shkojmë në shtrat dhe kur zgjohemi dhe sa të rregullta janë zakonet tona të gjumit, mund të jenë faktorë po aq të rëndësishëm sa kohëzgjatja e tij", vazhdon ekspertja.

Për të hetuar më tej mbi këtë temë, studiuesit analizuan lidhjen e aspekteve të ndryshme të gjumit dhe faktorëve të rrezikut për diabetin duke vlerësuar të dhënat nga më shumë se 1000 të rritur australianë me moshë mesatare 44.8 vjeç.

U vlerësuan një numër karakteristikash të gjumit, ndër të cilat: çrregullimet e vetë-raportuara të gjumit, kohëzgjatja, efikasiteti dhe ndryshueshmëria nga dita në ditë në kohëzgjatjen e tij.

Në ekuilibër, njerëzit që raportuan se kishin probleme me gjumin kishin gjithashtu më shumë mundësi të kishin një indeks më të lartë të masës trupore, si dhe të kishin shënjues të kolesterolit në gjak dhe inflamacionit.

Matjet objektive dhe ato të vetë-raportuara të çrregullimeve të gjumit u shoqëruan ndjeshëm me faktorët e rrezikut kardiometabolik për diabetin e tipit 2. Çrregullimet e vetë-raportuara të gjumit u shoqëruan me një shëndet më të keq kardiometabolik, pavarësisht nga parametrat objektiv të gjumit. Ekspertët shpjegojnë se kanë gjetur një lidhje ndërmjet çrregullimeve të gjumit dhe rrezikut për diabetit të tipit 2.

"Nevojiten më shumë kërkime, por siç tregon ky studim, është e rëndësishme të mendoni për gjumin në tërësi, jo vetëm për aspektet individuale të tij", përfundon Matriciani.

 

The Science of Diabetes Self-Management and Care 2022.
https://doi.org/10.1177/26350106221137896


 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>