Focus

maj302016

Antikoagulantët e rinj oralë përballë warfarin-ës dhe hemorragjitë gastroenterike

Antikoagulantët e rinj oralë (Noac) kanë një efikasitet të barabartë me warfarin-ën tradicionale, por një profil tolerance e sigurie shumë herë më të mirë, meqë lidhen me një reduktim të ndjeshëm të riskut hemorragjik (veçanërisht atij cerebral, nga 35% deri në 64%). Por te disa pacientë (rreth 20-25%), antikoagulantët e rinj oralë shoqërohen me një shtim të riskut për hemorragji gastroenterike (gjithnjë duke e krahasuar me warfarin-ën) dhe prandaj është thelbësore të përpiqemi të kuptojmë se cilët janë këta pacientë dhe nëse është e mundur të parandalohet një gjasë e tillë.

Faktin e pohoi Giovanni Di Minno, docent në Klinikën Mjekësore të Universitetit Federiko II në Napoli,  gjatë konferencës së fundit 'Inovacion në fushën kardiovaskulare dhe në hiperkolesterolemi', e organizuar nga Shoqata Italiane e Farmakologjisë (SIF). "Në të vërtetë ekzistojnë një sërë karakteristikash klinike që mundësojnë identifikimin e menjëhershëm të personave me risk më të madh për hemorragji: Janë ata në trajtim për ulcer peptike; personat që marrin inhibitorë të pompës protonike; personat me hipertension arterial; ose që kanë një bronkopneumoni kronike emfizematoze". Pastaj është një pikë e dytë që duhet pasur parasysh, nënvizon klinicisti: "Siç dihet, hemorragjitë  e traktit gastroenterik ndaken në hemorragji të traktit gastrointestinal të sipërm (në thelb gastrik) dhe të traktit gastrointestinal të ulët (pra në zorrë)".

E pra me warfarin-ën këto hemorragji janë 75% të sipërme dhe për 25% të ulëta, ndryshe nga ç'ndodh me disa nga antikoagulantët e rinj oralë, ku në dy molekula eventet hemorragjike janë kryesisht të sipërme dhe në dy të tjera për pjesën më të madhe të ulëta.

Përse është i rëndësishëm ky dallim? "Sepse hemorragjitë e traktit gastrointestinal të sipërm janë të ndjeshme ndaj inhibitorëve të pompës protonike, barna zakonisht të përdorura për ulcerën peptike. Ky është një tjetër informacion i rëndësishëm për të parandaluar këto evente hemorragjike. Pra nga njëra anë kemi identifikuar  pacientë më në risk, nga ana tjetër në të paktën gjysmën e rasteve kemi mundësi të përdorim inhibitorët e pompës protonike. Gjithashtu nëse ka hemorragji parashikohen një sërë ndërhyrjesh (antidote) për të penguar ose kontrolluar këto hemorragji", përgjigjet Di Minno. 

Ka ende një aspekt që klinicisti e konsideron të arsyeshëm për t'u vënë në dukje. "Duhet edhe të merret parasysh fakti se përtej studimeve klinike, në përdorimin e përditshëm regjistrat kanë treguar se në fund të fundit ky risk për hemorragji gastroenterike nuk është edhe aq i lartë nga sa pritej. Dhe kjo e qetëson mjekun mbi përdorimin e këtyre barnave të reja, mbi efikasitetin dhe sigurinë e tyre". Kërkohet një vëmendje më e madhe nga ana e mjekut përshkrues. "Warfarin, për shkak të natyrës së saj, bart një sërë ndërveprimesh me barna të ndryshme dhe bimë mjekësore, ndërsa antikoagulantët e rinj oralë kanë ndërveprime shumë të vogla. Kjo nënkupton se duke dhënë një Noac ka shumë mundësi që dozimi i përshkruar të mbetet i pamodifikuar dhe efekti i tij as nuk do të fuqizohet as do të pakësohet nga përdorimi i barnave të tjera, bimëve mjekësore apo ushqimeve", vazhdon studiuesi.

"Ky aspekt është natyrisht diçka qe duhet marrë mirë në konsideratë. Duhet gjithashtu të kemi parasysh që antikoagulantët e rinj oralë nuk administrohen në të gjitha indikimet tradicionale të warfarin-ës, si p.sh. te pacientët me valvula mekanike, te pacientët me predispozitë të lindur për tromboza (trombofili e lindur), ose te pacientët që kanë sindroma autoimune si ajo nga antitrupat fosfolipidike. 

Mbetet i njohur një problem bazë i warfarin-ës, - pohon Di Minno, - që lidhet me vështirësinë e monitorimit dhe nevojën për t'i imponuar pacientit ekzaminime laboratorike, që kryhen çdo 7-10 vjet me objektivin për të verifikuar nëse antikoagulimi është i saktë me matjen e Inr, ndërsa kjo nuk është e domosdoshme me barnat e reja: sot mjafton për disa nga këto barna një 'clearance' e kreatininës dhe do të sugjeroja edhe një ekzaminim të gjakut okult në feçe me objektivin për të shmangur problemin e cituar më sipër".

Kjo e thjeshton çështjen, por nga ana tjetër mund të kthehet në një disavantazh sepse është e qartë që pjesëmarrja e pacientit në terapi në këtë moment vjen duke zbritur në mënyrë automatike. E kundërta ndodh kur nuk arrihet të sistemohen një sërë kontrollesh të brendshme të cilat i lejojnë klinicistit të jetë më i qetë". Për shembull? "Vetë personelit infermieror - siç ndodh në disa shtete - që zakonisht rivlerëson përdorimin e këtyre barnave", pohon Di MInno.
 
"Një sistem që kthehet në një proces inteligjent, novator dhe mbi të gjitha i hapur për integrimin e këtyre barnave. Në të vërtetë duhet të them se regjistrat tregojnë një pjesëmarrje më të madhe në terapi me Noac se sa me warfarin. Megjithatë, - përfundon klinicisti, - mbetet shumë për të bërë në këtë sektor dhe do të kuptojmë më shumë në vitet e ardhshme mbi avantazhet dhe disavantazhet e mundshme të këtyre barnave të reja./D.GJ.

 

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>