Focus

mar202017

Risku për hematomë subdurale, studimi në "Jama" e lidh me përdorimin e barnave anitrombotike

tags: JAMA

Incidenca në rritje e hematomave subdurale duket se është e lidhur me një përdorim në rritje të barnave antitrombotike. Faktin e pohon David Gaist, nga departamenti i neurologjisë në Universitetin e Odenses dhe një nga autorët e studimit të publikuar në Jama.
Hematoma subdurale, një hemorragji intrakranikale e lokalizuar nën membranën durale dhe mbi sipërfaqen e trurit, mund të klasifikohet në dy kategori me origjinë përgjithësisht traumatike: hematoma subdurale akute dhe hematoma subakute ose kronike. Hematoma subdurale akute lidhet më shpesh me trauma të rënda dhe zakonisht bëhet klinikisht e dukshme brenda 72 orëve të ardhshme, ndërsa forma kronike përgjithësisht zbulohet javë ose muaj pas një traume disi modeste, si p.sh. rëniet që zakonisht iu ndodhin personave të moshuar. Duke filluar nga vitet '80, studime të hershme treguan një shtim të incidencës së kësaj patologjie, si në Evropë edhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa për të ardhmen parashikohet një rritje e mëtejshme për shkak të plakjes së popullatës.
Ndonëse përdorimi i barnave antitrombotike njihej prej kohësh si një faktor risku, studimet e zhvilluara në të kaluarën bazoheshin vetëm në pacientë me hematomë subdurale, pa iu referuar asnjë grupi kontrolli ose duke u fokalizuar ekskluzivisht në pacientë të trajtuar me një antikoagulant.
Në këtë studim analizat rast-kontroll dhe ato përshkruese u zbatuan duke u bazuar në të dhënat e popullatës kombëtare dhe rajonale në Danimarkë. Autorët iu referuan në specifikë 10.010 rasteve me hematomë subdurale në një kampion total prej 400.380 kontrollesh, duke marrë si periudhë referimi vitet 2000 - 2015. Pra objektivi i studimit ishte ai që të ofronte vlerësime të përditësuara rreth riskut për hematomë subdurale të lidhur me përdorimin e barnave antitrombotike, duke analizuar tendencat përshkruese më të fundit.
Nga 10.010 rastet me hematomë subdurale të shqyrtuara, 3.462 ishin gra (34.6%) dhe mosha mesatare ishte 69.2 vjeç. Marrja e barnave antitrombotike në total u has në 47.3% të rasteve, ndërsa vdekshmëria në 30 ditë u verifikua në 16.1% të pacientëve. Mes rasteve me hematomë subdurale u vëzhguan frekuenca më të mëdha për disa patologji njëherësh, ne veçanti sa i takon sëmundjeve treguese të konsumit të madh të alkoolit (17.6% të rasteve vs 4.6% të kontrolleve), hipertensioni (54.0% vs 46.3%), iktusi (14.2% vs 6.8%), epilepsia (6.6% vs 1.8%), demenca (5.8% vs 2.7%), insuficienca renale kronike (2.9% vs 1.5%), sëmundja hepatike kronike (2.6% vs 1.0%) dhe koagulopatia (0.5% vs 0.2%).
Risku për hematomë subdurale rezulton domethënës nëse lidhet me përdorimin e barnave antitrombotike, në veçanti me një antagonist i vitaminës K (VKA) (odds ratio 3.69). Mundësitë më të mëdha te gratë se te burrat dhe sidomos në pacientët më të moshuar, u lidhën me përdorimin e kombinuar të një VKA-je dhe një bari antiagregant. Risku për hematomë subdurale i asociuar me përdorimin e njëkohshëm të barnave antitrombotike në fakt është i ndryshëm mes regjimeve të ndryshme: i ulët me përdorimin e njëkohshëm të aspirinës me dozë të ulët dhe dipiridamolit; i moderuar në rastin e clopidogrel dhe një antikoagulanti oral direkt, i lartë kur një VKA merret njëkohësisht me një bar antiagregant.
Përdorimi më i gjerë i këtyre barnave ishte i lidhur me rritjen e incidencës së hematomave sudurale, nga 10.9 raste në 100.000 persona në vitin 2000  në 19.0 raste në 2015-n.
Gjithashtu, në rastin e përdorimit të barnave të tilla hematoma subdurale është treguar më shpesh fatale. Autorët në fund, në periudhën e studiuar, kanë hasur një rritje të incidencës së hematomës subdurale, në veçanti mes pacientëve me moshë mes 75 dhe 89 vjeç./AIFA

Lexo studimin në JAMA


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>