Focus

shk282018

Baballarët pa partnere, më të rrezikuarit nga vdekja e parakohshme

Sipas një studimi vëzhgues, baballarët pa partnere janë më të rrezikuar për të pësuar vdekje të parakohshme, krahasuar me nënat pa partner dhe me çiftet e prindërve.

"Familjet me një prind po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të rritjes së numrit të divorceve, ndarjeve dhe çifteve që kanë fëmijë jashtë martese", vëren bashkautorja Maria Chiu (Instituti Vlerësues i Shkencave Klinike në Universitetin e Torontos), duke shtuar se në vitin 2011, më shumë se 2,6 milionë familje në SHBA dhe 330.000 familje në Kanada drejtoheshin nga baballarë të vetmuar, ndërsa nga vlerësimet e vitit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar del se 10% e tre milionë familjeve me një prind, drejtohen nga një baba i vetmuar. "Rezultatet tona bëjnë të ditur se baballarët e vetmuar jo vetëm që kanë një vdekshmëri më të lartë, por edhe kanë tendencën për një stil jete jo të shëndetshëm, gjë që ndoshta shpjegon, të paktën pjesërisht, shtimin e rrezikut të vdekjeve të parakohshme", shkruajnë autorët.

Në studim kanë marrë pjesë 40.490 vetë me moshë mesatare 41-46 vjeç, që kishin marrë pjesë në Anketën Kanadeze të Shëndetit në Komunitet. Nga këta, 871 ishin baballarë të vetmuar, 4.590 nëna të vetmuara, 16.341 partnerë baballarë dhe 18.688 partnere nëna. "Mes prindërve të vetmuar kishte nga ata që jetonin në shtëpi me një ose më shumë fëmijë biologjikë apo të adoptuar më të vegjël se 25 vjeç dhe që ishin të divorcuar, të ndarë, të ve, të vetmuar, të pamartuar asnjëherë dhe që nuk jetonin me një partnere", shpjegon kërkuesja.

Të dhënat e mbledhura pas një ndjekjeje që ka zgjatur mesatarisht 11 vjet, janë të qarta: me 5,8 vdekje çdo 1.000 vite/njerëz, krahasuar me baballarët që kanë një partnere dhe me nënat e vetmuara, baballarët e vetmuar kanë më shumë mundësi të vdesin, respektivisht, me 1,9 dhe 1,7 vdekje çdo 1.000 vite/njerëz.

Në një editorial, Rachel Simpson-i (Universiteti i Oksfordit, Mbretëri e Bashkuar), konfirmon: "Është e rëndësishme që jo vetëm mjekët, por edhe të gjithë operatorët shëndetësorë, të jenë të ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij grupi njerëzish veçanërisht në rrezik, edhe sa i përket shëndetit publik dhe është gjithashtu e nevojshme të bëhen studime të tjera për të sqaruar më mirë arsyet e shtimit të rrezikut të vdekshmërisë së parakohshme te baballarët e vetmuar".

 

Lancet Public Health. 2018. doi: 10.1016/S2468-2667(18)30003-3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29454821

Lancet Public Health. 2018. doi: 10.1016/S2468-2667(18)30028-8
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29454822


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>