Focus

qer42018

Printohet në 3D korneja e parë njerëzore e përftuar nga qelizat staminale

Kërkuesit e Universitetit të Njukastëllit në Angli kanë realizuar një korne njerëzore të printuar në 3D. "Kjo teknikë mund të përdoret në të ardhmen, duke na dhënë mundësinë të kemi aq korne sa na nevojiten", konfirmon Che Connon, profesor i inxhinierisë së indeve pranë universitetit anglez, që ka udhëhequr grupin e punës. Kërkimi ka të bëjë me mënyrën se si qelizat staminale të shkëputura nga një korne e shëndetshme dhuruese, janë përzier me alginate e kolagjen, për të krijuar një solucion që mund të printohet, një lloj boje biologjike.

Duke përdorur një printer biologjik të thjeshtë 3D me kosto të ulët, boja biologjike është printuar me sukses në rrathë koncentrikë, duke krijuar formën e një korneje njerëzore në më pak se 10 minuta. Qelizat staminale janë vendosur më tej në kulturë.

"Shumë grupe pune në të gjithë botën janë përpjekur të krijojnë një bojë biologjike ideale për ta bërë të mundur këtë proces. Xheli ynë unik, një kombinim i alginates dhe kolagjenit, i mban në jetë qelizat staminale dhe në të njëjtën kohë, ofron një material mjaftueshëm të fortë për të krijuar formën, por po aq edhe të butë, që të mund të shpërndahet nga një printer 3D", vazhdon Connon-i.

Krijuesit kanë treguar edhe se janë në gjendje të krijojnë korne që plotësojnë specifikat unike të çdo pacienti. Dimensionet e indit të printuar ishin marrë nga një korne reale. Nga skanimi i mëtejshëm i syrit të një pacienti, të dhënat që rrjedhin nga analiza mund të përdoreshin për të printuar shpejt një korne që përkonte me dimensionet dhe formën e kërkuar.

Autorët nënvizojnë se kornetë e printuara në 3D duhet t'u nënshtrohen testeve të fundit dhe që do të duhen vite të tëra derisa të arrijmë t'i përdorim ato për transplante.

"Pavarësisht kësaj, me këtë studim ne kemi treguar se është e mundur të printohen kornetë duke përdorur koordinatat e marra nga syri i një pacienti dhe që kjo qasje i ka të gjitha mundësitë për të luftuar mungesën botërore të këtyre organeve", përfundon Connon.

 

Exp Eye Res. 2018. doi: 10.1016/j.exer.2018.05.010
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29772228


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>