qer262018
Riniti alergjik, më i shpeshtë tek adoleshentët. Duhen marrë parasysh të gjitha efektet
Një rishikim i literaturës së publikuar në "Annals of Allergy, Asthma and Immunology" sugjeron se alergjia nga bari apo riniti alergjik, i shoqëruar ose jo me alergji okulare, ka një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së adoleshentëve dhe mund të kufizojë aktivitetet e tyre të përditshme. "Adoleshentët nuk duhen parë si "fëmijë të mëdhenj" apo si "të rritur të rinj". Ata kanë nevoja shumë specifike dhe alergologët mund t'i ndihmojë në lehtësimin e simptomave që i bëjnë të vuajnë", thotë Michael Blaiss, i Kolegjit Mjekësor të Xhorxhas, autor kryesor i studimit. Hulumtuesit kanë identifikuar 27 studime në gjuhën angleze që shqyrtonin efektet e rinitit alergjik dhe të rinokonjuktivitit alergjik tek adoleshentët (10-19 vjeç).
Sipas analizës, simptomat e rinitit alergjik që janë raportuar si më të mundimshmet ishin rrjedhja e hundëve dhe kruarja e syve. Cilësia e jetës ka rezultuar më e keqe tek adoleshentët me këtë sëmundje, krahasuar me kontrollet, pavarësisht se cili instrument është përdorur për ta matur atë.
Simptomat nazale janë më shpesh të shoqëruara me një cilësi të dobët të jetës tek adoleshentët sesa te të rriturit ose fëmijët e vegjël. Riniti alergjik kishte gjithashtu një ndikim negativ në aktivitetet normale të përditshme e mbi gjumin dhe një efekt negativ në produktivitetin dhe performancën gjatë shkollës.
"Pjesa më e madhe e studimeve përfshin adoleshentët dhe fëmijët, por ne e dimë se sëmundja mund të ndikojë në këto dy grupe në mënyra të ndryshme. Adoleshenca është një periudhë e vështirë edhe pa patur një sëmundje kronike", thotë Blaiss-i.
Studiuesit theksojnë rëndësinë e marrjes parasysh të të gjitha efekteve në trajtimin e sëmundjes. "Ne duhet të kuptojmë se riniti alergjik mund të ndikojë te gjumi e te performanca në shkollë dhe duhet të sigurohemi që të përdorim për sëmundjen agjentë modifikues që nuk shkaktojnë paaftësi, të tillë si imunoterapia, për të patur rezultate të mira dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës", përfundojnë autorët.
Ann Allergy Asthma Immunol. 2018. doi: 10.1016/j.anai.2018.03.028
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29626629