Focus

qer102019

Pijet energjike zgjatin intervalin QT. Shtohen vizitat në urgjencë

Konsumimi i pijeve energjike që përmbajnë kafeinë, lidhet me zgjatjen e intervalit QT, faktor i njohur ky për rrezikun e torsioneve të majave, sipas një studimi të publikuar në "Journal of the American Heart Association".

"Pijet energjike janë lidhur me një shtim të vizitave në urgjencë dhe të vdekjeve. Ne kemi dashur të përcaktojmë ndikimin e tyre në parametrat elektrokardiografikë dhe hemodinamikë te vullnetarët e rinj të shëndetshëm", konfirmon Sachin Shah (Universiteti i Pacifikut, Stokton, Kaliforni), autor kryesor i studimit. Tridhjetë e katër të rritur të shëndetshëm, 18-40 vjeç janë ftuar të konsumojnë dy pije të ndryshme energjike të disponueshme në treg dhe një pije placebo.
Asnjëri nga pjesëmarrësit nuk ishte në terapi me barna, përveç tre vetëve që merrnin kontraceptivë oralë. Pjesëmarrësit e kanë pirë secilën pije njëlitërshe në 60 minuta gjatë tre ditëve të ndryshme, të ndara në mënyrë të rastësishme. Pijet energjike përmbanin më shumë se 300 mg kafeinë, si edhe taurinë, glucuronolactone, vitamina dhe përbërës parësorë. Pjesëmarrësit janë monitoruar me elektrokardiogramë për një periudhë prej 4 orësh.
Rritja maksimale në intervalin QT të rregulluar me placebo ishte 6.1 ms dhe 7.7 ms për të dyja pijet energjike. Për më tepër, presioni sistolik i gjakut ishte rreth 5 mmHg më i lartë pas konsumimit të pijeve energjike, krahasuar me placebon. Studiuesit theksojnë se ndikimi i konsumit të pijeve energjetike për një kohë të gjatë, mbetet i panjohur.

"Individët me sindromën e QT-së së gjatë dhe ata me hipertension të fituar ose të lindur, duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të kufizojnë konsumin e pijeve energjike. Bazuar në të dhënat që janë në dispozicion aktualisht, do të jetë e nevojshme të përdoret me kujdes e gjithë klasa e pijeve energjike dhe jo vetëm një produkt i caktuar", përfundojnë autorët.


JAHA 2019. Doi: 10.1161/JAHA.118.011318
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/JAHA.118.011318


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>