Focus

mar242020

Qëndrueshmëria në aerosol dhe në sipërfaqe. Coronavirusi i ri, më rezistent në mjedis sesa Sarsi

Coronavirusi i ri, Sars-CoV-2, mbetet aktiv në aerosol për disa orë dhe në sipërfaqe për disa ditë, sipas një shkrimi të publikuar në "New England Journal of Medicine".
"Të dhënat tona tregojnë se qëndrueshmëria e virusit të ri në mjedis është e ngjashme me atë të Sars-CoV-1, që shkaktoi epideminë e Sarsit", thotë Neeltje van Doremalen, nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, në Hamilton, SHBA.

Transmetimi i Sars-CoV-2, që shkakton Covid-19, e tejkaloi shpejtësinë e epidemisë Sars të vitit 2003. Një ndryshim kryesor në përhapjen e dy sëmundjeve, sipas ekspertëve, qëndron në faktin se Sarsi u përhap në mënyrë të qëndrueshme, mbi të gjitha, në sektorin e shëndetësisë, gjatë procedurave mjekësore, ku një individ i vetëm i infektuar ka shkaktuar shumë raste dytësore, ndërsa coronavirusi i ri duket se përhapet më shumë nga njeriu te njeriu në një sërë kontekstesh.

Për më tepër, nuk dihet ende se në çfarë mase individët asimptomatikë ose presimptomatikë e përhapin virusin e ri. Mes pacientëve të infektuar nga Sars-CoV-2, ngarkesat virale në traktin e sipërm respirator janë të larta; për pasojë, sekrecioni respirator ka të ngjarë të transferohet në objekte në formën e aerosolit (<5 ìm) ose të spërklave (> 5 ìm).
Për t'u thelluar në metodat e infektimit, studiuesit kanë dashur të vlerësojnë se sa kohë Sars-CoV-2 mbetet infektiv në mjedis, përmes eksperimenteve simuluese në të cilat ata krahasuan qëndrueshmërinë e Sars-CoV-2 me atë të Sars-CoV-1 në aerosole dhe në sipërfaqe. Sa i përket rezistencës në aerosol, ai qëndron rreth tre orë për të dyja viruset, me një zvogëlim të vazhdueshëm me kalimin e kohës së rrezikut dhe një gjysmëjetë prej rreth 1.1-1.2 orë. Sars-CoV-2 rezultoi më i qëndrueshëm se paraardhësi i tij në plastikë dhe në çelik të paoksidueshëm, ku u gjet deri në 72 orë pas aplikimit. Të dyja viruset treguan ndryshime në ruajtjen e qëndrueshmërisë në bakër dhe karton. Në fakt, përsa i përket Sars-CoV-2 të ri, prania e virusit nuk u gjet pas katër orësh në bakër ose pas 24 orësh në karton, ndërsa Sars-CoV-1 nuk u gjet më pas tetë orësh si në bakër, ashtu edhe në karton.

Autorët përfundojnë se, sipas rezultateve të tyre, transmetimi ambiental i agjentit patogjen Sars-CoV-2 (përmes objekteve dhe aerosolit) është i besueshëm, pasi virusi mund të mbetet i gjallë në aerosol për disa orë dhe në sipërfaqe, deri në disa ditë.


Nejm 2020. Doi: 10.1056/NEJMc2004973
https://www.nejm.org/doi/10.1056/NEJMc2004973


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>