Focus

sht82020

Kanceri dhe përdorimi në shtëpi i bojërave të flokëve. Një studim mbi shtimin e rrezikut

Për gratë që përdorin bojëra flokësh në shtëpi, nuk shtohet rreziku për zhvillimin e pjesës më të madhe të tumoreve, apo një shtim i vdekshmërisë së lidhur me kancerin. Ky është përfundimi i një studimi të botuar në "British Medical Journal", i cili gjithsesi ka zbuluar një rritje të lehtë të rrezikut për kancer të vezoreve dhe disa llojeve të kancerit të gjirit dhe lëkurës. "Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi Kancerin, në OBSH, e ka klasifikuar ekspozimin profesional ndaj bojërave të flokëve si një element të mundshëm kancerogjen, por nuk ka bërë asnjë paralajmërim për përdorimin personal, sepse provat ekzistuese deri më tani janë të paqarta",  shpjegon Yin Zhang, nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, Boston, emri kryesor i studimit.

Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit analizuan të dhënat e 117.200 grave pjesëmarrëse në Studimin Shëndetësor të Infermierëve. Ato nuk kishin kancer në fillim të studimit dhe u ndoqën për 36 vjet. Përdorimi i bojërave të flokëve nuk e rriti rrezikun për kancer të fshikëzës, trurit, zorrës së trashë, veshkave, mushkërive, gjakut dhe sistemit imunitar, ose shumicës së kancereve të lëkurës (karcinoma e qelizave skuamoze të lëkurës dhe melanoma) ose gjirit (receptori estrogjen pozitiv, receptori progesteron pozitiv, ose receptori hormon pozitiv). Përdorimi i bojërave të përhershme, sidoqoftë, është shoqëruar me një rrezik pak më të lartë për karcinomë të qelizave bazale të lëkurës, më e lartë te gratë me flokë natyrale të ndritshme. Ka ekzistuar gjithashtu një rrezik i shtuar për kancer të vezoreve dhe tre lloje të kancerit të gjirit (receptori negativ i estrogjenit, receptori progesteron negativ dhe receptori hormonal negativ) me një rrezik në rritje në bazë të sasisë kumulative të bojës, ndaj të cilave ishin të ekspozuara gratë. Një rrezik në rritje i limfomës Hodgkin është vërejtur gjithashtu me përdorimin e ngjyrave të përhershme të flokëve, por vetëm për gratë me flokë natyrale të errëta, ndoshta sepse ngjyrat e errëta kanë përqendrime më të larta të përbërësve.
"Pavarësisht nga disa kufizime, gjetjet ofrojnë njëfarë sigurie kundër shqetësimeve në lidhje me përdorimin personal të bojërave të përhershme të flokëve, por lidhjet pozitive të disa kancereve me ngjyra të ndryshme të flokëve kërkojnë hetime të mëtejshme", përfundojnë autorët.


BMJ 2020. Doi: 10.1136/bmj.m2942
https://doi.org/10.1136/bmj.m2942


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>