Focus

sht302020

Kongresi ESMO: Ende shumë pabarazi në trajtimin e kancerit në Evropë. Shqipëria, vendi me numrin më të ulët të studimeve

Sipas konkluzioneve të dy studimeve të botuara në "Annals of Oncology" dhe të prezantuara në ESMO 2020, në Evropë, qasja ndaj barnave kundër kancerit nuk është aspak e njëtrajtshme, si për barnat e reja në zhvillim, ashtu edhe për barnat e aprovuara aktualisht. Dokumenti i parë raporton se vendet e Evropës Perëndimore po kryejnë studime klinike për trajtime të reja të kancerit më tepër sesa vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. "Studimi ynë na jep prova të asaj që kemi dyshuar më parë; se ekziston një asimetri e madhe në numrin e provave klinike për trajtimet e kancerit në vende të ndryshme", shpjegon Teresa Amaral, nga Spitali Universitar Tubingen, Gjermani, bashkautore e punimit.

Studimet klinike janë të rëndësishme, sepse u japin pacientëve mundësinë për të hyrë në terapi të reja tashmë gjatë fazës së eksperimentimit, si dhe garantojnë ndjekjen dhe monitorimin standard. Sipas ekspertëve, në periudhën 2009-2019, Shqipëria kishte numrin më të ulët të studimeve klinike aktive për kancerin (0.14 studime klinike për 100,000 banorë), ndërsa Belgjika numrin më të lartë (11.06 për 100,000); kjo për shkak se studimet klinike, veçanërisht ato të fazës së hershme, kërkojnë infrastrukturë solide përsa i përket personelit dhe pajisjeve, disponueshmëria e të cilave varet nga situata e përgjithshme financiare e një vendi.

Në një studim të dytë, një analizë e ekonomisë shëndetësore tregoi se vendet më të pasura evropiane kishin shpenzime për kokë, dhjetë herë më të larta sesa vendet e varfra për barnat kundër kancerit në vitin 2018. "Pabarazitë janë të lidhura mbi të gjitha me forcën ekonomike të vendeve dhe jo me barrën e kancerit", thotë autori kryesor, Nils Wilking, i Institutit Karolinska në Stokholm, Suedi. Vendet që shpenzuan më shumë për barna kundër kancerit ishin Austria, Gjermania dhe Zvicra (90 deri në 108 euro për frymë), ndërsa ato që shpenzuan më pak ishin Republika Çeke, Letonia dhe Polonia (13 deri në 16 euro). Ekspertët theksojnë se ndryshimet në shpenzimet për barnat kundër kancerit shpjegohen ose nga mungesa e parave, ose nga ekzistenca e barnave që nuk janë të aprovuara për përdorim nga disa sisteme shëndetësore dhe kërkohet një uniformitet më i madh për vendimet në këtë drejtim.


Esmo Virtual Congress 2020 (Annals of Oncology, Volume 31 Supplement 4, September 2020)
https://www.esmo.org/meetings/esmo-virtual-congress-2020


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>