Focus

nën262020

Vaksinat anti-Covid dhe imuniteti i tufës. Nuk mungojnë dyshimet mes ekspertëve

Prej disa kohësh, qeveritë dhe institucionet kanë ushqyer shpresën se vaksinat kundër coronavirusit të ri mund të çojnë në "imunitet të tufës". Megjithatë, për disa ekspertë, këto pritshmëri janë të pasakta. Së pari, duhet të kuptojmë një sërë faktorësh dhe se çfarë është vërtet e nevojshme për të arritur imunitetin e vërtetë në popullsi. Shumë prej këtyre elementeve janë aktualisht të panjohura. Cila është shkalla e përhapjes së virusit që shkakton infeksionin nga Sars-Cov-2? A do të jenë në gjendje vaksinat e para të përdorura të ndalojnë transmetimin e virusit apo thjesht do të parandalojnë sëmundjen te njerëzit? Sa vetë do t'i pranojnë vaksinat? A do të ofrojnë vaksinat të njëjtin nivel mbrojtjeje për të gjithë?

 

A arrihet imuniteti i popullatës vetëm nëpërmjet vaksinës?

"Imuniteti i tufës ndonjëherë keqkuptohet si mbrojtje individuale, kur në të vërtetë i referohet mbrojtjes së komunitetit dhe jo mënyrës se si mbrohet një individ", thotë Josep Jansa, ekspert i sëmundjeve infektive në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Për modelet e ECDC-së, përqindja minimale e pragut për vendosjen e imunitetit të tufës është 67%, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel tha se karantinimet e ndryshme për parandalimin e Covid-it që po bëhen në këtë kohë në Gjermani, mund të revokoheshin nëse 60/70% e popullsisë fiton imunitet përmes një vaksine ose kure. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjithashtu kanë theksuar një shkallë të mbulimit të vaksinimit prej 65% -70% si një mënyrë për të arritur imunitetin e popullatës përmes administrimit të një vaksine. "Koncepti i imunitetit të tufës i referohet mbrojtjes së më të rrezikuarve", tha Eleanor Riley, profesoreshë e imunologjisë dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut. Është e rëndësishme të kuptohet, shpjegoi ajo, se nëse, për shembull, 98% e popullsisë vaksinohet, qarkullimi i ulët i virusit do të mbronte edhe 2% të pavaksinuar. Ky është synimi qendror".

 

E rëndësishme për Covid-19, llogaritja e shkallës së riprodhimit

Thelbësore për Covid-19, si për çdo sëmundje tjetër shumë të transmetueshme, është llogaritja e shkallës së riprodhimit, ose vlerës R të virusit. Në mënyrë të përmbledhur, kjo është masa që përcakton mesatarisht se sa njerëzve të tjerë mund t'u transmetojë një person i infektuar një patogjen në rrethana "normale" ose pa kufizime. Duke supozuar efikasitetin e plotë të vaksinës, pragjet e përqindjes së imunitetit të tufës për sëmundjet infektive llogariten duke pjesëtuar 1 me vlerën R, duke zbritur rezultatin nga 1 dhe duke e shumëzuar me 100. Për shembull, për fruthin, që është shumë ngjitës, me një vlerë të R-së prej 12 ose më të lartë, vetëm duke shkuar në 92% mund të ndodhë imuniteti i tufës. Anasjelltas, për një sëmundje sezonale të gripit që mund të ketë një vlerë R prej 1.3, pragu do të ishte vetëm 23%.

"Problemi është se tani për tani ne nuk e dimë saktësisht se sa shpejt përhapet virusi pa masa paraprake dhe me aktivitetet normale të udhëtimit dhe socializimit që kishim deri një vit më parë", tha Winfried Pickl, profesor i imunologjisë në Universitetin e Mjekësisë, në Vjenë. "Me kaq shumë vende që veprojnë akoma në rrethana që janë larg normales, theksoi imunologu, hipoteza duhet të jetë që vlera R referuar Covid-19 të jetë më afër 4-trës sesa 2-shit, pasi edhe me gjysmë karantinim ose kufizime më të rrepta, vlera R është rreth 1.5". Për më tepër, çdo efikasitet i vaksinës nën 100%, siç është shkalla 90% e efikasitetit që rezulton nga të dhënat e para të disponueshme për vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna, për të arritur pragun e imunitetit do të nevojitej një rritje përkatëse në përqindjen e popullatës së vaksinuar.

 

A mund ta shtypë vaksinimi pandeminë?

Amesh Adalja, studiues në Qendrën "Johns Hopkins" për Sigurinë Shëndetësore, tha se imuniteti i tufës në Shtetet e Bashkuara do të kërkonte vaksinimin e mbi 70% të popullsisë dhe se shifra mund të rritet nëse vaksinat janë më pak efektive. Gjithashtu, nuk është e sigurt nëse vaksinat që do të hidhen në treg, do të parandalojnë zhvillimin e infeksionit ose nëse njerëzit e vaksinuar do të jenë në gjendje ta marrin virusin dhe ta transmetojnë atë, pa patur simptoma. "Mbrojtja kundër sëmundjes mund të jetë e vlefshme për një individ, por nuk do të parandalojë qarkullimin e virusit dhe rrezikun e sëmundjes te njerëzit e pavaksinuar", tha Penny Ward, profesor vizitor i Farmaceutikës Klinike në King's College në Londër. Bodo Plachter, profesor dhe nëndrejtor i Institutit të Virologjisë në Spitalin Universitar Gjerman në Mainz, tha se infeksionet e frymëmarrjes është e vështirë të bllokohen plotësisht me vaksina, megjithëse vaksinat mund të ndihmojnë në uljen e sasisë së virusit që qarkullon. "Ekziston mundësia që njerëzit e vaksinuar mund ta përhapin më pak virusin, tha Plachteri, por do të ishte gabim të supozohej se vetëm vaksinimi mund të shtypë një pandemi".

 

Nuk duhet mbrojtur masa, por më të prekshmit

Simon C Riley, Profesor i Shkencave Klinike në Universitetin e Edinburgut, theksoi se shpresa e imunitetit të tufës nga Covidi përmes vaksinimit është e kotë. Një qasje më e mirë, tha profesori, mund të jetë "përmbysja e imunitetit të tufës", domethënë përdorimi i rezervave të para të kufizuara të vaksinave për të mbrojtur më nevojtarët, pa u shqetësuar për anëtarët më të shëndetshëm dhe më të fuqishëm të popullsisë, që mund të jetojnë në kushte të mira edhe duke e marrë virusin. "Harrojeni kërkimin e mbrojtjes së masës, për të mbrojtur njerëzit më të prekshëm, tha Riley. Ne duhet të mbrojmë drejtpërdrejt më të prekshmit.".

 

Cristoforo Zervos

Përshtati në shqip: Blerina Çizmja


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>