Focus

mar222021

Pagjumësia. Rekomandimet e shoqatave shkencore mbi vlerësimin dhe kurimin

Pagjumësia, një problem shumë i përhapur, ende pak i diagnostikuar, kërkon diagnostikim të saktë dhe ndërhyrjen e duhur. Pesë shoqata shkencore italiane kanë arritur një marrëveshje për vlerësimin dhe trajtimin e pagjumësisë në praktikën klinike. Përfundimet u botuan së fundmi në revistën shkencore "Frontiers in Psychiatry". Ekspertët vlerësuan 12 udhëzime ndërkombëtare dhe 12 rishikime mbi temën. Në sondazh morën pjesë shoqata shkencore në fushën e mjekësisë së gjumit, mjekësisë psikosomatike, psikiatrisë dhe psikofarmakologjisë. Qëllimi ishte t'u jepej një përgjigje nevojave që u shfaqën në praktikën e "botës reale" për vlerësimin dhe trajtimin e pagjumësisë kronike.

 

Trajtimi i pagjumësisë kronike, me apo pa sëmundje bashkëshoqëruese

Sondazhi italian nënvizoi se është e nevojshme të vlerësohen simptomat gjatë ditës dhe gjatë natës, çdo sëmundje bashkëshoqëruese dhe stili i jetesës së pacientit dhe se, te një pacient me pagjumësi kronike, me ose pa sëmundje shoqëruese duhet të niset një trajtim. Opsioni i parë duhet të jetë terapia konjitive e sjelljes (CBT). Zgjedhja e barit duhet të bëhet në bazë të disa faktorëve: lloji i pagjumësisë, mosha, sëmundjet bashkëshoqëruese dhe efektet anësore të mundshme. Melatonina 2 mg me lëshim të zgjatur duhet të jetë zgjedhja e parë për individët mbi 55 vjeç (deri në 13 javë). Nëse zgjidhet një medikament Z ose benzodiazepinë me lëshim të shkurtër (tek individët nën 65 vjeç), ose një qetësues antidepresiv, përdorimi duhet të jetë afatshkurtër (jo më shumë se 4 javë) dhe më pas të vazhdohet duke e pakësuar nën kontrollin klinik.

 

Profili i një çrregullimi të zakonshëm, sidomos te gratë

Pagjumësia është çrregullimi më i zakonshëm i gjumit në vendet e industrializuara, i pranishëm në rreth 36.8% të popullsisë. Megjithëse mund të jetë një problem i pavarur, pagjumësia ndodh më shpesh i shoqëruar me patologji të tjera dhe mund të përshpejtojë, përkeqësojë ose zgjasë një gamë të gjerë të sëmundjeve fizike dhe mendore. Studimet e fundit kanë treguar gjithashtu se ndërhyrjet te pagjumësia mund të kenë një ndikim favorizues në fushën e çrregullimeve psikiatrike dhe fizike. Pagjumësia kronike referohet si shqetësimet në ritmin e gjumë-zgjimit për 24 orë, me simptoma gjatë natës dhe gjatë ditës. Rreth 6-10% e popullsisë vuan nga një pagjumësi që kërkon hetime më të thelluara, ndërsa episodet e veçuara të pagjumësisë prekin 30-50% të popullsisë. Janë gratë ato që vuajnë më shumë nga pagjumësia, ndërsa me kalimin e moshës, problemi prek të dyja gjinitë. Ndërsa vitet kalojnë, ritmet e gjumë-zgjimit priren të ndryshojnë, orët e pushimit gjatë natës pakësohen, ndërsa shtohen dremitjet gjatë ditës. Pas moshës 65-vjeçare, simptomat e pagjumësisë janë më të shpeshta. Këto janë vlerësime të rëndësishme për klasifikimin dhe trajtimin korrekt të kësaj patologjie.

 

Alessandra Margreth


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>