Focus

qer212021

Covid-19. Rezultatet nuk janë njësoj për gratë dhe burrat. Ja, ndryshimet

Sipas një studimi të botuar në "Journal of Women's Health", i cili përfshiu mbi 10,600 pacientë të rritur, të shtruar në spital me Covid-19, gratë kanë dukshëm më pak të ngjarë se burrat të vdesin gjatë shtrimit në spital, apo të kenë nevojë për terapi intensive dhe ventilim mekanik. Gjithashtu, pacientet femra kanë një probabilitet dukshëm më të ulët për ngjarje të mëdha anësore, duke përfshirë dëmtimin akut të zemrës, dëmtimin akut të veshkave dhe tromboembolinë venoze.

"Kjo analizë gjithëpërfshirëse është studimi më i madh deri më tani që vlerëson drejtpërdrejt ndikimin e gjinisë në rezultatet e Covid-19. Studimi ynë demonstron fuqimisht se gjinia femërore ka më pak të ngjarë të shtrohet në spital, të ketë efekte të mëdha anësore dhe vdekshmëri për të gjitha shkaqet sesa meshkujt", shpjegon Rachel-Maria Brown, nga Zucker School of Medicine, autore e studimit.
Sipas ekspertëve, te gratë ka disa faktorë mbrojtës që mund të kontribuojnë në këto rezultate, megjithëse studime të mëtejshme do të duhet të konfirmojnë se cilët nga këta faktorë janë vendimtarë. Annabelle Volgman, nga Qendra Mjekësore e Universitetit Rush dhe grupi i saj i punës, në një editorial shoqërues, detajon mekanizmat e ndryshëm falë të cilëve, gjinia femërore mund të ketë një avantazh mbrojtës kundër infeksionit Covid-19. Njëri prej tyre mund të jetë kromozomi shtesë X, i cili mbart gjene të shumta përgjegjëse për imunitetin e lindur dhe përshtatës.

Sidoqoftë, editorialistët theksojnë se megjithëse gratë janë më pak të rrezikuara për të vdekur nga Covid-19, duhet pasur kujdes që të mos dërgohet një mesazh që nënkupton se mund të ofrohet trajtim i dobët për gratë me Covid-19, ose të reduktohen masat që parandalojnë infektimin e tyre. "Njohuritë tona në zhvillim nuk duhet të ulin vëmendjen e kushtuar grave të shtruara në spital për Covid-19", përfundojnë ekspertët.

 

Journal of Women's Health 2021. Doi: 10.1089/jwh.2020.8974
https://doi.org/10.1089/jwh.2020.8974

Journal of Women's Health 2021. Doi: 10.1089/jwh.2021.0110
https://doi.org/10.1089/jwh.2021.0110 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>