Focus

mar12022

Covid-19. Duhen bërë studime mbi rrezikun e humbjes së dëgjimit, pas vaksinës

Dy studime të publikuara në JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery trajtojnë çështjen e humbjes së dëgjimit neurosensorial pas vaksinës COVID-19. Në studimin e parë, Eric Formeister, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Johns Hopkins në Baltimorë dhe ekipi i tij gjetën 555 raportime incidentesh që plotësonin përkufizimin e humbjes së mundshme të dëgjimit neurosensorial brenda tre javëve pas vaksinimit kundër COVID-19, nga dhjetori 2020 deri në korrik 2021. Mosha mesatare e pacientëve ishte 54 vjeç dhe 55% e tyre ishin gra; koha mesatare deri në fillimin e humbjes së dëgjimit ishte gjashtë ditë pas vaksinimit.
Normat e raportimit të incidenteve ishin të ngjashme për vaksinat Pfizer-BioNTech, Moderna (Spikevax) dhe Johnson & Johnson. Studiuesit vlerësuan gjithashtu 21 raste klinike të humbjes së papritur të dëgjimit neurosensorial të konfirmuar pas vaksinimit kundër COVID-19. Koha mesatare e fillimit ishte gjashtë ditë dhe gjashtë nga 21 pacientë (28.6%) kishin sëmundje autoimune paraekzistuese. Nga 14 pacientë me të dhëna audiometrike të mbledhura pas trajtimit me steroide, 8 (57.1%) patën përmirësim në dëgjim.

Në studimin e dytë, të udhëhequr nga Yoav Yanir (Qendra Mjekësore Lady Davis Carmel në Haifa), studiuesit shqyrtuan të dhënat e 2,602,557 izraelitëve që kishin marrë një dozë të parë të vaksinës Pfizer për COVID-19 nga dhjetori 2020 deri në maj 2021 dhe zbuluan 91 raste të humbjes së papritur të dëgjimit neurosensorial, që kanë ndodhur brenda 21 ditëve nga vaksinimi. Midis 2,441,719 individëve që morën një dozë të dytë të vaksinës, u raportuan 79 raste të humbjes së papritur të dëgjimit. Rreziku i ponderuar ishte 0,91 raste të tepërta për 100,000 njerëz të vaksinuar pas dozës së parë dhe 0,61 raste të tepërta për 100,000 njerëz të vaksinuar, pas dozës së dytë.
Megjithatë, ekspertët thonë se duke marrë parasysh madhësinë e vogël të efektit të kësaj lidhjeje dhe prognozën e mirë të pacientëve me këtë problem, ndikimi i mundshëm i kësaj ngjarjeje në shëndetin publik duket se është relativisht i ulët.
Gjithsesi, të dyja studimet kishin kufizime të rëndësishme. Angela Ulrich, nga Universiteti i Minesotës në Mineapolis dhe grupi i saj i punës, shkruajnë në një editorial shoqërues se, të marra së bashku, këto dy studime sugjerojnë nevojën e thellimit të mëtejshëm në lidhjen e mundshme midis vaksinës dhe humbjes së papritur të dëgjimit neurosensorial.


JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery 2022. Doi: 10.1001/jamaoto.2021.4278
http://doi.org/10.1001/jamaoto.2021.4278

JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery 2022. Doi: 10.1001/jamaoto.2021.4414
http://doi.org/10.1001/jamaoto.2021.4414

JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery 2022. Doi: 10.1001/jamaoto.2021.4279
http://doi.org/10.1001/jamaoto.2021.4279


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>