Focus

dhj222022

Mbipesha dhe obeziteti. Jo vetëm probleme fizike, por edhe cerebrale

Rritja e BMI-së dhe shtimi në peshë nuk sjellin pasoja vetëm në shëndetin fizik, por edhe në atë cerebral. Në këtë përfundim ka arritur studimi më i madh i kryer në Shtetet e Bashkuara mbi zhvillimin cerebral dhe shëndetin e përgjithshëm të fëmijëve.

Studiuesit kanë zbuluar se pesha më e lartë dhe indeksi i masës trupore (BMI) në paraadoleshencë lidhen me shëndet më të dobët cerebral.

Sipas CDC-ve obeziteti në fëmijëri është një shqetësim në rritje në SHBA dhe rreth një në pesë fëmijë amerikanë është obez.

Studimi përdori të dhënat imazherike nga regjistri i Adolescent Brain Cognitive Development (ABCD), në të cilin u përfshinë 11,878 fëmijë të moshave 9-10 vjeç nga 21 qendra në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Pas përjashtimit të fëmijëve me çrregullime të të ngrënit, sëmundje neurozhvillimore dhe psikiatrike dhe lezione traumatike cerebrale, ekipi hulumtues përfshiu në studim 5169 fëmijë (51.9% e të cilëve ishin vajza). Normat e matura të mbipeshës dhe obezitetit ishin përkatësisht 21% dhe 17.6%.

Për të fituar një pamje gjithëpërfshirëse të shëndetit cerebral në grupin e fëmijëve të studiuar, ekipi vlerësoi informacionin nga MRI-ja strukturore dhe imazhet e rezonancës magnetike funksionale në gjendje pushimi (fMRI), e cila i lejoi studiuesit të matnin aktivitetin e trurit duke zbuluar ndryshimet në rrjedhën e gjakut. Me fMRI-në në gjendje pushimi, lidhja midis rajoneve nervore, të njohura si rrjetet e gjendjes së pushimit, mund të vërehet ndërsa truri është në qetësi.

Studiuesit vlerësuan gjithashtu të dhënat nga imazhi i difuzionit të tensorit, një teknikë e avancuar e MRI-së me difuzion që ndihmon në vlerësimin e materialit të bardhë dhe imazhin e spektrit të kufizimit.

Pas përshtatjes për moshën, gjininë, përkatësinë etnike, aktivitetin fizik dhe statusin socio-ekonomik, studiuesit vëzhguan ndryshimet strukturore cerbrale te fëmijët me peshë dhe BMI më të lartë. Këta fëmijë kishin një dëmtim më të madh të integritetit të materialit të bardhë sesa bashkëmoshatarët e tyre me peshë normale. Zonat e degradimit përfshinin materialin e bardhë të corpus callosum dhe traktet e tjera brenda hemisferave që lidhin dy lobet e trurit.

Imazhet fMRI në gjendje pushimi zbuluan se shtimi në peshë ishte i lidhur me uljen e lidhjes në rrjetet funksionale të trurit, të cilat përfshijnë kontrollin konjitiv, motivimin dhe vendimmarrjen e bazuar në kënaqësi.

Studiuesit vëzhguan gjithashtu një hollim të shtresës më të jashtme të korteksit cerebral, duke e shoqëruar atë me më shumë funksione konjitive dhe ekzekutive të dëmtuara.

Dihej tashmë se të qenit obez në moshë të rritur lidhet me shëndet cerebral më të dobët. Megjithatë, studimet e mëparshme te fëmijët janë fokusuar shpesh në popullata të vogla studimore specifike ose në aspekte të veçanta të shëndetit cerebral.

"Studimi ynë tregoi se rezultatet më të larta të peshës dhe BMI-së te fëmijët 9 dhe 10 vjeç u shoqërohen me ndryshime në makrostruktura, mikrostruktura dhe lidhje funksionale të cilat përkeqësojnë shëndetin cerebral. Ne jemi të befasuar nga shkalla e dëmtimit të materialit të bardhë. Është e habitshme që këto ndryshime janë të dukshme që në fëmijëri",  përfundoi autorja kryesore e studimit Simone Kaltenhauser.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>