Gjinekologji

maj32018

HPV-ja. Gratë me rezultate të vazhdueshme negative, mund ta shtyjnë testin çdo pesë vjet

Sipas një studimi të publikuar në "Annals of Internal Medicine", intervali mes dy kontrolleve për kancer në qafën e mitrës, mund të zgjatet deri në pesë vjet ose më shumë, nëse rezultatet e mëparshme kanë qenë vazhdimisht negative. "Studimi ynë tregon se ka një rënie të konsiderueshme të rrezikut për kancer të qafës së mitrës, pas një ose më shumë testeve negative për detektimin e papillomavirusit human (HPV) kryer së bashku me kontrollin citologjik (pra, me bashkëtestim)", tha Philip Castle (Kolegji Mjekësor "Albert Ajnshtajn", në Nju Jork), autor kryesor i studimit.

Mjekët analizuan të dhënat e mbi 990,013 grave që i janë nënshtruar një bashkëtestimi në periudhën 2003-2014 në sistemin e integruar shëndetësor "Kaiser Permanente" Kalifornia e Veriut, për të vlerësuar rrezikun e kancerit të qafës së mitrës në praktikë, pas një serie testesh negative. Rezultatet treguan se shtimi i testeve negative u shoqërua me një rënie të vazhdueshme të rrezikut për kancerin invaziv, CIN3, ose të një grade më të lartë.

Autorët vërejnë se ulja ishte njësoj, si kur testimi i HPV-së ishte bërë në mënyrë të pavarur nga rezultatet e citologjisë, si kur merrej parasysh një rezultat bashkëtestimi. Përsa i përket testit HPV më vete, rreziku 5-vjeçar nga kanceri invaziv i qafës së mitrës, pas një testi HPV-je negativ është reduktuar nga 0.0092% për rezultatin e parë negativ, në 0.0015%, për testin e tretë negativ. Në mënyrë të ngjashme, rreziku në tre vjet për karcinomë cervikale invazive pas një testi HPV-je negativ, është ulur nga 0.0081% për testin e parë dhe në 0.0015% për një rezultat negativ të HPV-së në bashkëtestimin e tretë, pas dy bashkëtestimeve negative.

Krahasuar me këtë, rreziku 3-vjeçar i kancerit pas një ekzaminimi negativ citologjik ka rënë nga 0.014% për rezultatin e parë negativ, në 0.0023% për një rezultat negativ në bashkëtestimin e tretë, pas dy bashkëtestimeve negative. Rreziqet për CIN3 ose më shumë, në 3 dhe 5 vjet kanë ndjekur modelet e ngjashme me ato të kancerit invaziv të qafës së mitrës.

"Studimi konfirmon se përmirësimi në aspektin e ndjeshmërisë me bashkëtestimin krahasuar vetëm me testin HPV është minimal. Është e rëndësishme të theksohet se bashkëtestimi të çon në një numër të panevojshëm kolposkopish, biopsish dhe ndoshta trajtimesh të panevojshme", shkruajnë në një editorial Guglielmo Ronco (Qyteti i Shëndetësisë dhe i Shkencave, Torino) dhe Silvia Franceschi (Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin në Lion, Francë).

 

Annals of Internal Medicine 2017. Doi: 10.7326/M17-1609
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29181509

Annals of Internal Medicine 2017. Doi: 10.7326/M17-2872
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29181508  


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>