Gjinekologji

gus142018

Pse Amerika e kundërshton kontrollin për kancer të vezoreve te gratë pa simptoma?

Sipas udhëzimeve të reja të Task Forcës së Shërbimeve Parandaluese në SHBA (USPSTF) botuar në "JAMA", gratë nuk duhet t'iu nënshtrohen kontrolleve për kancerin ovarian në qoftë se nuk kanë simptoma të sëmundjes, pasi procedura nuk përmirëson mbijetesën, por i ekspozon ato ndaj komplikimeve të mundshme kirurgjikale.

"Provat tregojnë se metodat e tanishme të shqyrtimit nuk pengojnë vdekshmërinë nga kanceri ovarian dhe se shqyrtimet mund të çojnë drejt kirurgjisë së panevojshme", thotë Michael Barry (Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit), bashkautor i studimit. Hulumtuesit janë bazuar në tre studime, që përfshinin një numër të përgjithshëm prej 293.038 grash, duke shqyrtuar vdekshmërinë për shkak të kancerit të vezoreve dhe një studim të zhvilluar mbi 549 gra, ku janë marrë në konsideratë rezultatet psikologjike.

Në asnjërin prej studimeve, kontrolli nuk është shoqëruar me një ndryshim të rëndësishëm në vdekshmërinë për shkak të kancerit të vezoreve. Sidoqoftë, në dy nga studimet, nga 1% deri në 3% të femrave që i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike për sëmundje të dyshuar bazuar në rezultatet e kontrollit, tumori nuk ishte i pranishëm.

Lidhja ndërmjet shqyrtimit dhe rezultateve psikologjike, në të vërtetë, ka rezultuar e dobët, megjithëse në njërin nga studimet, kontrolli pas një rezultati pozitiv, dukej se nxirrte në pah një shtim të rrezikut për çrregullime psikologjike. Autorët theksojnë se rekomandimi nuk zbatohet për gratë me rrezik të lartë të zhvillimit të kancerit ovarian, siç janë ato që kanë mutacione të gjenit BRCA. Megjithatë, ka shumë apele për kujdes nga bota klinike.

"Ne nuk duhet të heqim dorë plotësisht nga kontrolli për kancer ovarian", shkruan Steven Narod (Instituti i Kërkimeve Spitalore të Kolegjit të Grave në Toronto), në një shkrim shoqërues në "JAMA Internal Medicine".
Në një tjetër editorial në "JAMA", Karen Lu (Universiteti i Teksasit në Houston), thotë: "Zgjerimi i strategjisë në mënyrë që të përfshihen modelet e sakta të rrezikut dhe testimit gjenetik, mundësitë e reja të parandalimit dhe të një diagnostikimi të hershëm ndihmojnë në frenimin e përhapjes dhe vdekshmërisë së lartë të lidhur me kancerin e vezoreve".

"Mjetet më të mira të parashikimit të rrezikut mund të çojnë në një shqyrtim më të hollësishëm dhe një gjasë më të madhe të përfitimit të përgjithshëm, madje edhe me mënyrat aktuale të shqyrtimit", konfirmojnë në një editorial tjetër botuar në "JAMA Oncology", Charles Drescher dhe Garnet Anderson, nga Qendra e Kërkimit të Kancerit në Siatëll.


JAMA. 2018. Doi: 10.1001/jama.2017.21926
https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2672638

JAMA. 2018. Doi: 10.1001/jama.2017.21894
https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2672614

JAMA Onc. 2018. Doi: 10.1001/jamaoncol.2018.0028
https://jamanetwork.com/journals/jamaoncology/fullarticle/2672788


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>