Gjinekologji

tet312018

Depresioni para menopauzës. Publikohen rekomandimet klinike të menaxhimit

Gratë, në periudhën para menopauzës duhet të vlerësohen dhe të trajtohen për depresionin, sipas rekomandimeve të para klinike mbi menaxhimin e depresionit në këtë fazë të jetës, publikuar në revistat "Menopause" dhe "Journal of Women's Health".

"Mungojnë rekomandime klinike mbi mënyrën se si do të identifikohet, karakterizohet dhe trajtohet depresioni klinik në këtë popullsi. Depresioni, në fakt, mund të verifikohet së bashku me simptomat e menopauzës dhe dy llojet e simptomave nuk është e lehtë të dallohen, gjë që e bën të vështirë për mjekët kurimin e duhur të këtyre grave", shpjegon Pauline Maki (Universiteti i Ilinoisit në Çikago), autore kryesore e studimit, së bashku me Susan Kornstein-in (Universiteti i Virxhinias). Udhëzimet e aprovuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Menopauzës janë rezultat i një shqyrtimi të literaturës dhe fokusohen në pesë fusha: epidemiologji, paraqitje klinike, efekte terapeutike të antidepresivëve, efekte të terapisë hormonale dhe efikasitet i terapive të tjera, siç janë: psikoterapia, ushtrimet fizike dhe produktet natyrale.

Në tërësi, provat sugjerojnë se pjesa më e madhe e grave në mesomoshë, që vuajnë nga një episod depresiv gjatë perimenopauzës, ka një historik depresioni. Autorët nënvizojnë se simptomat e menopauzës komplikohen, shoqërojnë dhe i mbivendosen paraqitjes së depresionit.

Sipas udhëzimeve, diagnoza përfshin identifikimin e menopauzës, vlerësimin e simptomave të saj psikiatrike dhe shoqëruese, vlerësimin e faktorëve psikosocialë, të zakonshëm në mesomoshë, diagnozat e diferencuara dhe përdorimin e instrumenteve të vlerësuara të ndjekjes mjekësore.

Sa i përket trajtimit, rekomandimet indikojnë se opsionet terapeutike me efekt të sigurt për depresionin, si antidepresivët, terapia e sjelljes dhe psikoterapi të tjera, duhet të merren parasysh edhe në këtë rast, si trajtime të linjës së parë. Mjekët, gjithsesi, duhet të menaxhojnë edhe çrregullimet e gjumit dhe djersitjen gjatë natës si pjesë të trajtimit për depresionin, të lidhura me menopauzën. Kërkuesit konfirmojnë se terapia me estrogjene nuk është efikase si trajtim për shqetësimet depresive te gratë në post menopauzë, por se kontraceptivët hormonalë mund të përmirësojnë simptomat depresive te gratë që i afrohen menopauzës. Nuk ka prova të mjaftueshme ama, sa i përket përdorimit të qasjeve erboristike ose alternative për trajtimin e depresionit në këtë fazë të jetës.

 

Menopause. 2018. doi: 10.1097/GME.0000000000001174
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30179986

J Womens Health (Larchmt). 2018. doi: 10.1089/jwh.2018.27099.mensocrec.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30182804


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>