Gjinekologji

dhj72018

Marrja e kafeinës gjatë shtatzënisë duhet kufizuar në të gjitha frontet

Konsumimi i kafeinës gjatë shtatzënisë, pavarësisht nëse vjen nëpërmjet çajit apo kafesë, sjell lindjen e fëmijëve më të vegjël, sipas një studimi të ri të publikuar në "American Journal of Clinical Nutrition". "Edhe gratë që kishin marrë më pak se 200 mg kafeinë, sasia që konsiderohet e sigurt gjatë shtatzënisë sipas Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG), kishin një rritje të konsiderueshme në rrezikun e lindjes së parakohshme ose në lindjen e një fëmije me peshë të ulët. Në bazë të lidhjeve që kemi vëzhguar, ne u rekomandojmë grave shtatzëna ose atyre që janë në kërkim të një shtatzënie, që të paktën të kufizojnë marrjen e çajit dhe të kafesë", shpjegon Ling-Wei Chen (Universiteti i Dublinit, Irlandë), emri kryesor i punës.

Në shumicën e studimeve mbi kafeinën gjatë shtatzënisë, kafeja ishte pija kryesore e konsumuar, ndërsa në punën e fundit, studiuesit kanë shqyrtuar 941 çifte nënë-fëmijë në Irlandë, ku njerëzit pinë më shumë çaj sesa kafe. Në fakt, gati gjysma e nënave në studim kishin pirë çaj, ndërsa rreth 40% kishin pirë kafe.

Të dhënat treguan se çdo 100 mg rritje e kafeinës së konsumuar në ditë gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, lidhej me një peshë lindjeje 72 gramë më pak dhe një moshë gjestacionale, gjatësi në lindje dhe perimetër të kokës, dukshëm më të ulëta. Gratë që morën më shumë kafeinë, kishin fëmijë me peshë rreth 170 gramë më pak se ato që konsumonin dozë minimale të kafeinës dhe nuk përbënte asnjë ndryshim nëse kafeina vinte nga kafeja apo nga çaji.

"Publiku duket se nuk e njeh përmbajtjen e kafeinës së çajit, kështu që marrja e përgjithshme e çajit dhe e kafesë duhet të merret parasysh kur bëhen përpjekje për të minimizuar kafeinën totale gjatë shtatzënisë. Ky fakt është veçanërisht i rëndësishëm në ato vende ku çaji është burimi mbizotërues i kafeinës", thotë Catherine Phillips, nga Universiteti i Dublinit, autore e studimit.

 

Am J Clin Nutr. 2018. doi: 10.1093/ajcn/nqy219
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30339199


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>