gus82019
Profilaksia antibiotike në lindjet operative, mund të shmangë rrezikun e infeksioneve materne
Sipas një studimi të gjerë të publikuar në "Lancet", një dozë e vetme antibiotiku e dhënë si profilaksi pas një lindjeje operative vaginale, është në gjendje të përgjysmojë rrezikun e infeksioneve materne.
"Ne besojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe organizata të tjera kombëtare duhet të ndryshojnë udhëzimet e tyre për të pasqyruar rezultatet tona", thotë Marian Knight (Universiteti i Oksfordit), autore kryesore e studimit.
Hulumtuesit përzgjodhën në mënyrë rastësore 3,427 gra të moshës 16 vjeçe e lart nga 27 njësi obstetrike në Britaninë e Madhe për të marrë një dozë të vetme amoksiciline dhe acidi klavulanik (1,719 gra) ose placebo (1,708 gra), pas një lindjeje vaginale operative, në javën e 36-të ose më shumë të shtatzënisë. Më tej, janë krahasuar normat e infeksionit matern të dyshuar ose të konfirmuar mes dy grupeve. Kështu, një numër dukshëm më i ulët i grave të caktuara në grupin e trajtuar me amoksicilinë dhe acid klavulanik, ka paraqitur infeksion të konfirmuar ose të dyshuar, në krahasim me atë që u vërejt në grupin placebo (11% kundrejt 19%).
Në grupin e ndërhyrjes u vërejtën gjithashtu përqindje më të ulëta të grave me dhimbje perineale, infeksion të plagëve perineale, ose prishje të tyre. Si rezultat, gjashtë javë pas lindjes, gratë në grupin e ndërhyrjes, përdorën më pak resurse të shërbimit shëndetësor kombëtar, në krahasim me gratë me placebo. Një grua në grupin e placebos përjetoi një skuqje të lëkurës dhe dy gra në grupin e ndërhyrjes kanë vuajtur nga reaksione të tjera alergjike, një prej të cilëve u raportua si ngjarje serioze negative. Vincenzo Berghella (Universiteti "Thomas Jefferson" në Filadelfia) dhe Federica Bellussi (Universiteti i Bolonjës), në një koment shoqërues, theksojnë se 89% e grave të përfshira në këtë studim, kishin pësuar një epiziotomi dhe se studimi nuk ka treguar rezultatet neonatale të shkaktuara nga antibiotiku në qumështin e gjirit dhe as problemin e rezistencës antimikrobike.
"Duke patur parasysh këtë, udhëzimet klinike duhet të përditësohen për të pasqyruar rekomandimin e ri për administrimin e një doze të vetme të amoksicilinës dhe acidit klavulanik në mënyrë intravenoze brenda gjashtë orësh pas lindjes operative vaginale, veçanërisht për gratë te të cilat është kryer edhe epiziotomi. Megjithatë, do të nevojiten kërkime të mëtejshme sa iu përket lindjeve operative vaginale, te të cilat nuk kërkohet epiziotomi", përfundojnë redaktorët.
Lancet 2019. Doi: 10.1016/S0140-6736(19)30773-1
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(19)30773-1/fulltext
Lancet 2019. Doi: 10.1016/S0140-6736(19)30845-1
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(19)30845-1/fulltext