Gjinekologji

sht92019

Preklampsia shton rrezikun për sëmundje të rëndë renale

Gratë që vuajnë nga preklampsia gjatë shtatzënisë, kanë rrezik pesë herë më të madh për zhvillim të sëmundjes renale të fazës terminale, krahasuar me gratë që nuk kanë probleme preklampsie gjatë shtatzënisë, sipas studiuesve të Universitetit Cork (Irlandë), Institutit Karolinska (Suedi) dhe Universitetit të Liverpulit, në një studim të botuar në "PLOS Medicine".

"Ndërsa prevalenca e sëmundjes së veshkave është rritur vitet e fundit, vihet re se gratë që në dializë kanë sëmundje para-ekzistuese të veshkave, janë më të shumta në krahasim me burrat. Kështu, është hedhur hipoteza se historia riprodhuese, madje edhe zhvillimi i preklampsisë gjatë shtatzënisë, mund të luajë rol te kjo", shpjegon Ali Khashan (Universiti Cork), autori kryesor i studimit. Studiuesit analizuan të dhënat e 1.366.441 grave të shëndetshme me 2.665.320 lindje të vetme në Suedi në periudhën 1982-2012, duke filluar me Regjistrin Mjekësor Suedez të Lindjeve. Analiza zbuloi se gratë me preklampsi në të paktën një shtatzëni, kishin pothuajse pesë herë më shumë të ngjarë të kishin sëmundje renale terminale sesa gratë që nuk kishin pasur kurrë preklampsi (raporti i rrezikut 4,96).
Shkalla e incidencës së sëmundjes renale të fazës terminale për 100,000 vite/njerëz ishte 1.85 mes grave pa histori të preklampsisë dhe 12.35, mes grave me histori të preklampsisë. Gjithashtu, lidhja mbeti e pranishme në mënyrë të pavarur nga faktorë të tjerë, përfshirë moshën dhe arsimimin e nënës, si dhe çdo diagnozë të sëmundjes renale ose sëmundjeve kardiovaskulare para shtatzënisë.

"Rezultatet tona tregojnë se preklampsia është një faktor rreziku i pavarur dhe specifik për gjininë, për zhvillimin e mëvonshëm të sëmundjes renale të fazës terminale", shprehen autorët. Sidoqoftë, ekspertët theksojnë se rreziku i përgjithshëm i këtij rezultati mbetet mjaft i vogël dhe se vlen të merret në konsideratë nëse skrinimi apo strategjitë parandaluese mund të reduktojnë rrezikun e sëmundjes renale në fazën përfundimtare, te gratë me preklampsi në shtatzëni.


PLoS Med. 2019. doi: 10.1371/journal.pmed.1002875
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31361741


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>