Gjinekologji

dhj212020

Premenopauza. Ndërhyrja e hershme te simptomat, parandalon sëmundjet kardiovaskulare

Vitet e tranzicionit drejt menopauzës shënohen nga një rrezik në rritje i sëmundjeve kardiake për gratë dhe monitorimi i shëndetit e mënyrës së jetesës gjatë kësaj periudhe e veçanërisht në moshën e mesme, është shumë i rëndësishëm për të parandaluar problemet kardiovaskulare, sipas një deklarate shkencore të Shoqatës Amerikane e Zemrës, botuar në "Circulation" dhe redaktuar nën drejtimin e Samar El Khoudary (Universiteti i Pitsburgut).

Përveç përmbledhjes së hulumtimeve mbi përdorimin e terapisë hormonale, punimi bën një përmbledhje të rreziqeve që lidhen me fazat e menopauzës, moshën në të cilën ndodh dhe faktorët e stilit të jetesës që ndikojnë në rrezikun e grave gjatë kësaj periudhe. Autorët raportojnë se disa nga simptomat e zakonshme të përjetuara me menopauzë kanë një korrelacion me sëmundjet kardiovaskulare, duke përfshirë afshe të nxehta dhe djersitje natën, depresion dhe çrregullime të gjumit. Theksohet gjithashtu se ndryshimet fiziologjike që ndodhin gjatë menopauzës, të tilla si dhjamosja abdominale dhe dhjamosja e organeve të brendshme, shoqërohen me një rrezik në rritje të vdekshmërisë për të gjitha shkaqet, për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer, edhe mes grave me nivele normale të BMI-së.
Për më tepër, nivelet e kolesterolit, rreziku i sindromës metabolike dhe cenueshmëria vaskulare duket se rriten me menopauzën më shumë sesa me plakjen normale. Jo vetëm kaq. Në fakt, të dhënat mbi përdorimin e barnave për uljen e kolesterolit mbeten të kufizuara për gratë që kalojnë tranzicionin drejt menopauzës dhe kërkojnë studime të mëtejshme në mënyrë që të jepen rekomandime të bazuara në prova.

Së fundmi, ekspertët vërejnë se gratë që përjetojnë menopauzë në moshë të hershme, kanë një rrezik më të lartë për sëmundje kardiake dhe se mosha në të cilën një grua hyn në menopauzë mund të ndikohet nga faktorë të tillë si gjatësia e ciklit menstrual, faktorët socio-ekonomikë, raca dhe përkatësia etnike, aktiviteti fizik dhe ushqimi. Autorët përfundojnë duke theksuar se ka një mungesë të informacioneve të rëndësishme mbi ndryshimet e stilit të jetesës që mund të ndihmojnë më së shumti në uljen e rrezikut dhe se kur duhet të zbatohen këto, por e sigurt është që shumë pak gra ndjekin udhëzimet për aktivitetin fizik dhe dietën e shëndetshme.


Circulation 2020. Doi: 10.1161/CIR.0000000000000912
https://doi.org/10.1161/CIR.0000000000000912


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>