Gjinekologji

dhj202022

Tamoxifeni rrit rrezikun për kancer në mitër te gratë me kancer gjiri

Sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open, trajtimi me tamoxifen i grave me kancer gjiri në premenopauzë shoqërohet me një rrezik të shtuar për polipe endometriale, hiperplazi, karcinomë dhe kancere të tjera të mitrës.

"Lidhja midis tamoxifenit dhe sëmundjeve të mitrës, si: kanceri endometrial te gratë me kancer gjiri në premenopauzë mbetet e diskutueshme, megjithëse disa studime kanë raportuar se ekziston një lidhje midis medikamentit dhe sëmundjeve të ndryshme të mitrës si: polipet endometriale, hiperplazia, kanceri dhe tumore të tjera të mitrës në postmenopauzë", shpjegon Ki-Jin Ryu nga Kolegji Universitar i Mjekësisë në Seul, Koreja e Jugut, i cili së bashku me kolegët analizuan lidhjen midis tamoxifenit dhe rrezikut për kancer endometrial dhe sëmundje të tjera të mitrës në një grup grash në premenopauzë të diagnostikuara me kancer gjiri në periudhën janar 2003-dhjetor 2018.

Në studim u përfshinë 78,320 gra me moshë mesatare 42 vjeç, 34,637 (44,2%) e të cilave formuan grupin e tamoxifenit dhe 43,683 (55,8%) atë të kontrollit.

Të dhënat, të analizuara në periudhën prill-dhjetor 2021, treguan se pas një ndjekjeje mesatare prej 6,13 vitesh, incidenca e polipeve ose hiperplazisë endometriale, kancerit endometrial dhe tumoreve të tjera të mitrës ishte përkatësisht 20, 13, 2 dhe 0,45 raste për 1000 vite/njerëz në grupin e tamoxifenit. 

Pas përshtatjes për moshën, indeksin e masës trupore, historinë e diabetit, hipertensionit, dislipidemisë, sindromës së vezores policistike, trajtimit me agonistë të hormoneve çliruese të gonadotropinës dhe trajtimit me trastuzumab, në grupin e tamoxifenit rreziku për kancer endometrial u rrit me rreth një të tretën krahasuar me grupin e kontrollit.

"Këto gjetje sugjerojnë se gratë me kancer gjiri në premenopauzë që marrin terapi hormonale adjuvante me tamoxifen kanë një rrezik të shtuar për hiperplazi endometriale, polipe, karcinomë dhe kancere të tjera të mitrës, krahasuar me bashkëmoshataret e tyre të patrajtuara me këtë medikament. Prandaj është e rëndësishme që mjekët kurues të vlerësojnë me kujdes rrezikun e sëmundjeve afatgjata të mitrës te pacientet e tyre me kancer gjiri në premenopauzë të trajtuara me tamoxifen", përfundon Ki-Jin.

 

JAMA Network Open 2022. Doi: 10.1001/jamannetworkopen.2022.43951
http://doi.org/10.1001/jamannetworkopen.2022.43951


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>