Mjekësi e përgjithshme

pri162018

Hirsutizmi. Cili prej trajtimeve është më efikas?

Një metanalizë e fundit e botuar online në "Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism" vë përballë mundësitë e ndryshme për trajtimin e hirsutizmit. Nëse është vërtet siç shkruajnë autorët e koordinuar nga M. Hassan Murad (Spitali i Përgjithshëm i Bostonit), që "në praktikë përdoren trajtime të ndryshme farmaceutike për hirsutizmin" është e vërtetë edhe se "efikasiteti i tyre relativ nuk është i qartë". Kjo mund të ndodhë edhe për shkak të ndryshueshmërisë etiologjike të hirsutizmit, manifestim klinik i përkufizuar si prani e tepërt e qimeve te gruaja, me një shpërndarje mashkullore që zhvillohet kur folikujt e pranishëm në zonat e lëkurës të ndjeshme ndaj androgjeneve, fillojnë të prodhojnë qime në vende të pazakonta për gratë.

Pa dyshim që hiperandrogjenizmi luan një rol të rëndësishëm, duke qenë se 70-80% e grave me ndryshime të tilla endokrine, paraqesin hirsutizëm. Megjithatë, nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes entitetit të hirsutizmit dhe përqendrimeve të androgjeneve, por ndikojnë edhe përqendrimet lokale të hormonit, duke qenë se pacientet me hiperandrogjemi të lartë mund të mos kenë hirsutizëm dhe, përkundrazi, gra me hirsutizëm të rëndë mund t'i kenë nivelet e androgjeneve qarkulluese plotësisht brenda normës. Edhe hormonet e tjera, mes të cilëve GH dhe hormonet e tiroides, ndikojnë në rritjen e qimeve.

Opsionet më të zakonshme për trajtimin e hirsutizmit janë antiandrogjenet dhe kontraceptivët oralë estrogjen + progestin (OCP) me veprim antiandrogjenik, ashtu si edhe agjentët e ekuilibrimit të insulinës, siç është metformina, të cilat përdoren edhe në mjekimin e sindromës së vezores policistike (hirsutizmi është një nga manifestimet më të rëndësishme të kësaj sindrome), sidomos te pacientet në mbipeshë apo obeze.

Kërkuesit e drejtuar nga Murad, kanë bërë një shqyrtim sistematik të literaturës, si dhe baza më të mëdha të dhënash, të tilla si: MEDLINE, EMBASE e CENTRAL, studime me përzgjedhje rastësore të kontrolluara (RCT) me ndjekje prej të paktën 6 muajsh që kishin vlerësuar antiandrogjenet, stabilizuesit e insulinës dhe kontraceptivët oralë te gratë me hirsutizëm. Palët e pavarura të shqyrtuesve pastaj përzgjodhën dhe vlerësuan studimet. Për të krahasuar barnat e veçanta dhe klasat e ndryshme farmakologjike është vënë në zbatim një metanalizë rrjeti me efekte të rastësishme.

Në analizë janë përfshirë 43 RCT. OCP-të, antiandrogjenet dhe stabilizuesit e insulinës kanë rezultate superiore ndaj placebos, me reduktime mesatare të standardizuara (intervalet e besimit në 95%), krahasimisht e barabartë me -0.94 (nga -1.49 në -0.38), -1.29 (nga -1.80 në -0.79) dhe -0,62 (nga -1,00 në -0,23).

Monoterapia me antiandrogjen, kombinimi i OCP-së me antiandrogjenin, kombinimi i OCP-së me stabilizuesit e insulinës dhe kombinimi i antiandrogjenit me stabilizuesit e insulinës kanë patur më shumë rezultat sesa monoterapia me stabilizuesit e insulinës. Kombinimi i OCP-së me antiandrogjenin ka qenë më rezultativ se terapia me OCP. Monoterapitë antiandrogjenike me flutamide, finasteride e spironolakton kanë qenë më rezultative ndaj placebos, por të njëvlershme me njëra-tjetrën, në kuptimin e efikasitetit.

OCP-të që përmbanin levonorgestrel, cyproterone acetate apo drospirenone, kanë patur rezultate të ngjashme me OCP-të me estrogjen+progestin ose kishin ndryshime të vogla. Cilësia e evidencave që tregonin superioritetin e trajtimit me OCP, antiandrogjene dhe stabilizues të insulinës, krahasuar me placebon, ishte e moderuar, ndërsa ajo relative, në një përballje kokë më kokë, ishte e ulët.

Si përfundim, autorët thonë se "OCP-të, antiandrogjenet dhe stabilizuesit e insulinës, janë më efektivë se placeboja për trajtimin e hirsutizmit". Duhet theksuar, gjithsesi, se, bazuar në të njëjtën metanalizë, kombinimi i OCP-së me antiandrogjenin ishte më rezultativ sesa trajtimi vetëm me OCP, ashtu si çdo kombinim i dy agjentëve të monoterapisë me stabilizues të insulinës.

 

J Clin Endocrinol Metab. 2018 Mar 7. doi: 10.1210/jc.2017-02052. [Epub ahead of print] https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29522176


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>