Mjekësi e përgjithshme

qer202019

Vizitat odontoiatrike. Përshkruhen shumë antibiotikë të panevojshëm

Sipas një studimi të publikuar në "JAMA Network Open", plot 81% e antibiotikëve të përshkruar nga dentistët për qëllime parandaluese, para vizitave, nuk janë të nevojshëm. "Ky zbulim nxjerr në pah nevojën për të përmirësuar menaxhimin e antibiotikëve në klinikat dentare, veçanërisht në perëndim të Shteteve të Bashkuara, ku ka patur norma më të larta të përshkrimeve të panevojshme", shpjegon Katie Suda, nga Kolegji i Farmacisë UIC, autore kryesore e studimit.

Hulumtuesit analizuan në mënyrë retrospektive vizitat dentare të kryera në periudhën 2011-2015 në një bazë të dhënash shëndetësore dhe krahasuan përshkrimet e antibiotikëve para këtyre procedurave, me numrin e pacientëve kardiakë me rrezikshmëri të lartë, që, sipas udhëzimeve kombëtare, janë të vetmit individë për të cilët ka rekomandime për një përshkrim të tillë. Analiza e të dhënave tregoi se 81% e recetave nuk ishin në përputhje me udhëzimet kombëtare dhe përfshinin pacientët pa kushte kardiake, me rrezikshmëri të lartë.

"Përdorimi i antibiotikëve parandalues te këta pacientë, i ekspozon ata ndaj rreziqeve që lidhen me përdorimin e antibiotikëve, si për shembull, rritja e rezistencës bakteriale dhe e infeksioneve dhe provat e përdorura për zhvillimin e udhëzimeve sugjerojnë se rreziqet në këto raste tejkalojnë në një masë të madhe, përfitimet prej tyre", thotë Suda. Hulumtuesit kanë shqyrtuar edhe modelet e përshkrimit të antibiotikëve nga ana e dentistëve, duke i shtresëzuar ata sipas zonës gjeografike dhe panë se në shtetet dhe zonat urbane perëndimore, pacientët kishin më shumë gjasa të merrnin përshkrime të panevojshme.

"Këto rezultate tregojnë tendenca të papritura gjeografike, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me atë që shihet në spitale, si dhe tregon një tendencë alarmante të dentistëve që të zgjedhin preferencialisht klindamicinën, ndërkohë që ajo shoqërohet me një rrezik më të madh për zhvillimin e infeksioneve nga Clostridium difficile, krahasuar me antibiotikët e tjerë", theksojnë ekspertët.
Autorët vunë në dukje gjithashtu se studimi ishte i kufizuar për pacientët me sigurim shëndetësor privat dhe se për analizë u përdor një përkufizim i gjerë i pacientëve kardiakë me rrezik të lartë, kështu që rezultatet mund të nënvlerësonin përshkrimin e panevojshëm të antibiotikëve.


JAMA Network Open 2019. doi: 10.1001/jamanetworkopen.2019.3909
https://jamanetwork.com/journals/jamanetworkopen/fullarticle/2734798


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>