Mjekësi e përgjithshme

gus62019

Tuberkulozi aktiv. Një analizë e re gjaku do të zbulojë më të rrezikuarit

Sipas rezultateve të një studimi të publikuar në "Clinical Infectious Diseases", një analizë e re gjaku, jo vetëm që mund të diagnostikojë tuberkulozin te njeriu, por gjithashtu, do të jetë e dobishme për të identifikuar ata që janë më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundjen.

"Pavarësisht reduktimeve të kohëve të fundit, Anglia ka ende një nga normat më të larta të tuberkulozit në Evropën Perëndimore. Duke qenë se mungojnë mjetet diagnostikuese për njerëzit që nuk janë në gjendje të prodhojnë sputum për analizë, si për shembull fëmijët, diagnoza shpesh shtyhet, duke rritur gjasat e përhapjes së sëmundjes", shpjegon Pranab Haldar (Universiteti i Leicesterit), autor i studimit. Studiuesit përdorën një analizë të re gjaku, me emrin Actiphage, për të kërkuar praninë e Mycobacterium tuberculosis te 66 pjesëmarrës të ndarë në katër grupe. Grupi i parë përbëhej nga pacientë me tuberkuloz pulmonar aktiv, i dyti nga njerëz me sëmundje latente, i treti nga individë të dyshuar për tuberkuloz, por te të cilët nuk është gjetur sëmundja dhe i katërti, nga individë të shëndetshëm. Analiza e re e gjakut u përdor te të gjithë pacientët dy herë, me një interval 12-mujor midis dy analizave.

Kështu, Actiphage ka rezultuar pozitiv te 73% e njerëzve që më vonë u diagnostikuan me tuberkuloz. Asnjë nga pjesëmarrësit e grupeve të kontrollit nuk ka rezultuar pozitiv në analizën Actiphage dhe asnjë nga pacientët me sëmundje latente që kishin një rezultat negativ me Actiphage, nuk ka zhvilluar tuberkuloz aktiv. Përkundrazi, dy prej tre pjesëmarrësve me infeksion latent, që kanë rezultuar pozitivë në testim, e kanë zhvilluar sëmundjen më shumë se gjashtë muaj më vonë, duke sugjeruar që testi mund të ketë rol parashikues në identifikimin e njerëzve të infektuar dhe në rrezik për zhvillimin e sëmundjes.

"Vëzhgimet tona japin informacione të reja mbi mënyrën se si tuberkulozi njerëzor zhvillon dhe mbështet dëshmitë e kohëve të fundit për ekzistencën e një gjendjeje të përkohshme të infeksionit të tuberkulozit; tuberkulozi fillestar, i cili nuk ka simptoma, por mbart një rrezik të lartë për përparimin e sëmundjes aktive. Ekziston mundësia për zhvillimin e Actiphage-s, qoftë si një test gjaku për të diagnostikuar tuberkulozin, qoftë si test në programet e shqyrtimit, për të na ndihmuar të identifikojmë dhe trajtojmë njerëzit me infeksione latente, që janë më në rrezik", përfundon Haldari.


Clin Infect Dis. 2019. doi: 10.1093/cid/ciz548
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31233122


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>