Mjekësi e përgjithshme

sht272019

Një shtam i ri i streptokokut A po shton incidencën e skarlatinës

Në një studim të sapopublikuar në "The Lancet Infectious Diseases", kërkuesit e Kolegjit Imperial të Londrës, kanë identifikuar një shtam bakterial patogjen, që mund të shpjegojë shtimin së fundi të incidencës së skarlatinës, gjë që është vënë re në Angli dhe në Uells. Numri i rasteve ka patur një rritje të shpejtë nga 15.000 në vitin 2014, në 17.000 në vitin 2015 e në më shumë se 19.000 në vitin 2016. "I kemi ndarë shtamet e streptokokut A, përgjegjëse për infeksionet në Angli dhe Uells, sipas llojit të gjenit emm të pranishëm", shpjegon nënshkruesi kryesor, Nicola Lynskey.

Duke bërë kështu, kërkuesit kanë zbuluar se shtimi fillestar i skarlatinës në 2014-tën, lidhej me shtamet Strep A të llojit emm3 dhe emm4. Megjithatë, gjatë pranverës 2015-2016, ishte bërë mbizotërues shtami emm1, sidomos te faringitet. Duke hetuar më tej, autorët kanë konstatuar se pjesa më e madhe e shtameve të emm1 në vitin 2015 dhe 2016, i përkisnin një kloni të ndarë emm1, të quajtur M1UK. "Kloni ka 27 mutacione unike dhe lidhet me një prodhim dukshëm më të madh të toksinës pirogjene streptokoksike A (SpeA). Një toksinë e tillë, jo vetëm që shkakton skarlatinën, por mund të kontribuojë edhe te faringiti dhe te disa infeksione invazive", thotë kërkuesi, duke shtuar se M1UK prodhon 9 herë më shumë toksinë, krahasuar me shtamet e tjera të emm1 (190 nanogramë për mililitër, përkundër 21).

"Ky klon i veçantë duket se kryesisht, është i kufizuar në Mbretërinë e Bashkuar, por ai mund të ketë potencialin për t'u përhapur ndërkombëtarisht, ose ndoshta të jetë tashmë i pranishëm në vendet e tjera", hamendëson Lynskey. Në një koment, Mark Walker (Universiteti i Kuinslandit, Australi), shkruan: "Këto të dhëna rikonfirmojnë nevojën për të siguruar sisteme mbikëqyrjeje globale, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik, që synojnë përmirësimin e vigjilencës ndaj kërcënimeve të mundshme infektive, me pasoja të thella për të ardhmen e kujdesit shëndetësor global".


Lancet Infect Dis. 2019. doi: 10.1016/S1473-3099(19)30446-3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31519541

Lancet Infect Dis. 2019. doi: 10.1016/S1473-3099(19)30494-3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31519542


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>