Mjekësi e përgjithshme

tet92019

Mjekët e rinj nuk mund të ofrojnë këshilla nutricionale

Sipas një studimi të botuar në "Lancet Planetary Health", trajnimi i mjekëve të rinj nuk merr mjaftueshëm parasysh nevojën për të siguruar baza të sigurta mbi ushqyerjen klinike. "Është e qartë se pavarësisht rëndësisë që ka ushqimi në stilin e jetës së shëndetshme, studentët e mjekësisë nuk kanë aq njohuri nutricionale sa për të qenë në gjendje t'u japin pacientëve këshilla nutricionale efektive dhe kjo situatë ekziston tashmë prej shumë kohësh. Edukimi nutricional për studentët e mjekësisë duhet të përmirësohet dhe të bëhet pjesë e detyrueshme dhe e rëndësishme e kurrikulës", thotë Lauren Ball (Universiteti Griffith, Australi), bashkautor i studimit.
Për t'u ofruar një panoramë të gjerë të edukimit nutricional studentëve të mjekësisë, studiuesit ekzaminuan 24 studime që vinin nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Lindja e Mesme, Afrika dhe Australazia, mbi njohuritë nutricionale të të sapodiplomuarve apo studentëve, mbi qëndrimin e tyre, aftësinë ose besimin në ofrimin e këshillave nutricionale. Ata vlerësuan gjithashtu cilësinë e perceptuar të arsimit në këtë fushë. Studimet kanë zbuluar në mënyrë të vazhdueshme se studentët e mjekësisë perceptojnë se nuk janë përgatitur për menaxhimin nutricional të pacientit, si përsa i përket sasisë, ashtu edhe sa i takon cilësisë së edukimit të tyre.

Mungesa e njohurive nutricionale u konstatua gjithashtu duke ua nënshtruar studentët testeve mbi këtë temë. Sipas ekspertëve, nevojiten më shumë fonde për të zhvilluar dhe zbatuar ndërhyrje arsimore novatore dhe është e rëndësishme të përcaktohen parametrat institucionalë e standardet e akreditimit që lidhen me trajnimin nutricional të mjekëve të rinj. Në një editorial, Stephen Devries (Instituti Gaples për Kardiologji Integruese, SHBA), vëren se përveç përmirësimit të shëndetit të pacientëve, edukimi nutricional mund të ndihmojë gjithashtu mjekët, që të jenë këshilltarët e duhur për sistemet e dietave të shëndetshme, siç është ai i rekomanduar nga komisioni i EAT-Lancet.

"Ka shumë punë për të bërë për të mësuar strategjitë më efektive për integrimin e kurrikulës nutricionale të edukimit mjekësor. Qasjet premtuese për të përmirësuar trajnimin nutricional në këtë kontekst, përfshijnë integrimin e temave të lidhura me ushqimin në leksionet mbi patogjenezën dhe trajtimin e sëmundjeve, vetëstudimin në internet dhe përdorimin e arsimit ndërprofesional", përfundon editorialisti.


Lancet Planet Health. 2019. doi: 10.1016/S2542-5196(19)30171-8
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31538623

Lancet Planet Health. 2019. doi: 10.1016/S2542-5196(19)30173-1
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31538619


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>